LDK-ja “lanson” projektin “së pari zgjedhje, pastaj dialog”

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Së pari zgjedhje, pastaj dialog – projekt që prodhon stabilitet institucional dhe eviton rreziqet gjeopolitike që po i kanosen Kosovës.

Kështu kërkon shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, derisa shton se nuk mund të pretendojmë t’i normalizojmë raportet me Serbinë, e në të njëjtën kohë të kemi raporte jo normale institucionale brenda në Kosovë, shkruan EkonomiaOnline.

“Gjendja aktuale në Kosovë nuk po prodhon normalitet të brendshëm, e as zhvillim në asnjë segment të jetës. Përkundrazi,” shkruan Hoti në Facebook.

Sipas tij, së pari zgjedhje, pastaj dialog është renditja e veprimeve politike që normalizon gjendjen politike dhe siguron stabilitetin institucional në Kosovë, si dhe krijon parakushtet për arritje të marrëveshjes dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Për më tepër, nuk mund të vazhdohet rrugëtimi normal i Kosovës drejt BE-së kur situata e krijuar në Kosovë, e krijuar me angazhimin antikushtetues të Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, e ka nxjerrë nga binarët këtë rrugëtim. Kjo situatë e rrezikshme gjeopolitike për Kosovën mund të riparohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja,” shkruan më tutje Hoti.

Sipas tij, LDK-ja nuk do të ndalet në këtë përpjekje për të bindur të gjitha forcat politike për projektin “Së pari zgjedhje, pastaj dialog”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme