LDK lëshoi seancën për Marrëveshjen e IPA-s, por Hoti thotë se nesër do ta votojnë

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 18:01 | Nga Valbona Bytyqi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas lëshimit të seancës, ka komentuar mos votimin e marrëveshjes së IPA-së.

Në një konferencë për media, Hoti ka thënë se kanë dëshiruar t’ia dëshmojnë edhe njëherë se Qeveria në krye me Haradinaj nuk do të mund të kalojë marrëveshjet e rëndësishme edhe nëse e ka mbështetjen e Listës Serbe në Kuvend, raporton EkonomiaOnline.

Hoti tha se nesër do ta përkrahë këtë marrëveshje për faktin se kjo është e rëndësisë nacionale dhe në të mirë të Kosovës.

LDK: Haradinaj tregoi se ai nuk mund t’i shkarkojë ministrat serbë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në konferencë për media, ka thënë se interpelanca për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo, është mbyllur pasi që debati ka tejkaluar nga ajo çfarë është thirrur.

Hoti ka thënë se veprimi i kryeministrit Ramush Haradinaj e bëri të qartë edhe një here se vendimet për shkarkime të ministrave serb merren diku tjetër. “Ato vendime nuk merren në Prishtinë dhe jo nga ai”, tha Hoti, raporton Ekonomia Online.

“Unë jam i sigurt se kryeministri do të donte ta shkarkonte, por është i pafuqishëm”.

“Ndjej keqardhje ndaj kryeministrit Haradinaj që është i detyruar të mbajë një ministër në kabinetin e tij, i cili është i akuzuar për torturë e dhunë ndaj qytetarëve të lagjes Dardania në Prishtinë”, u shpreh Hoti.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen e IPA-së. “Çështja e dytë që dua të diskutoj është marrëveshja IPA. Kjo marrëveshje është e rëndësisë nacionale dhe nuk duam që marrëveshje të tilla të mos ratifikohen në Kuvend”, tha Hoti, i cili konfirmoi se LDK-ja do të kthehet nesër në Kuvend për ta votuar këtë marrëveshje, nga e cila Kosova përfiton 76 milionë euro.

Të ngjashme