Lekaj: Do të ishte patriotike që sot të shpalleshin zgjedhjet

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 12:22 | Nga

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në 7-vjetorin e zgjedhjeve të para në shtetin e pavarur tha se sot Kosova prapë është kthyer gati në të njëjtën gjendje, sikur të ishte më shumë e administruar se sa e qeverisur.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se institucionet e Kosovës sillen sikur nuk kanë asgjë në dorë për sa ju takon vendimeve që e forcojnë integritetin dhe sovranitetin e shtetit.

Lexoni të plotë deklaratën e Lekajt:

“Zgjedhjet e 15 nëntorit të vitit 2009 – ato për nivelin lokal, legjitimonin tashmë jo IPVQ (Institucione të Përkohshme Vetëqeverisëse), por institucione shtetërore në kuptimin e plotë të fjalës edhe legalisht.

Por sot Kosova prapë është kthyer gati në të njëjtën gjendje, sikur të ishte më shumë e administruar se sa e qeverisur.

Institucionet e Kosovës sillen sikur nuk kanë asgjë në dorë për sa ju takon vendimeve që e forcojnë integritetin dhe sovranitetin e shtetit.

Kemi plotë gjëra për çka mundemi me dyshuar, se Qeveria e Kosovës, ende edhe sot e kësaj dite nuk e konsideron veten, qeveri e shtetit të pavarur, prandaj bëhen koncesione e lëshime karshi fqinjëve, siç është rasti më Asociacionin, Demarkacionin tash se fundmi edhe me marrëveshjen e kodit të telefonisë. Të gjitha këto, por jo vetëm, në njëfarë mënyre po e godasin pavarësinë e Kosovës.

Pavarësia nuk është vetëm, hajde po e shpallim, por është, ajo që vjen pas saj, mbajtja gjallë e idealit të atyre që sakrifikuan çdo gjë për të ndodhë 17 shkurti 2008, e për të zgjedhur institucione të pavarura të Kosovës së përhershme.

Duke qenë që kjo datë koincidon me një segment të pavarësisë së vendit, atë të zgjedhjeve. Do të ishte po aq patriotike që po sot të shpalleshin zgjedhjet e t’i pavarësonim institucionet edhe një herë, por kësaj radhe nga kapja prej krimit dhe korrupsionit dhe kthimin e tyre në qëllimin për çka edhe krijohen, shërbimin ndaj qytetarëve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme