Limaj: Falë votave në Malishevë, Nisma sot është faktor

Malishevë | 15 Tet 2017 | 19:36 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma për Kosovën është bërë parti vendimtare në skenën politike të Kosovës.

Kështu ka thënë lideri i kësaj partie, Fatmir Limaj, në një tubim të madh elektoral, në vendlindjen e tij në Malishevë.

Limaj tha se Kosovës i duhet një forcë politike social-demokrate si Nisma, e cila merret me problemet e qytetarëve.

Ai theksoi se e kanë formuar Nismën për t’iu dalë në ndihmë njerëzve të pambrojtur. Ndërsa falënderoi malishevasit se i kanë dhënë më së shumti ndihmë Nismës për t’u zgjeruar në tërë Kosovën.

“Sot Nisma për Kosovën është faktori vendimtar në skenën politike të Kosovës”, deklaroi Limaj, duke marrë duartrokitjet e simpatizantëve në shumtë në Sallën e Sporteve.

“Nisma për Kosovën është në Qeveri dhe Kuvend falë votave që ka marrë në qytetin e Malishevës, por edhe në gjithë Kosovën”.

Më tutje, Limaj ka thënë se ndihet krenar me punën e kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj.

Limaj ka thënë se në katërvjeçarin e dytë me Begajn kryetar do të jetë prioritet zhvillimi ekonomik. “Ky katërvjeçar duhet të jetë katërvjeçar i zhvillimit ekonomik në Malishevë”.

Sipas tij, me pjesëmarrjen e Nismë në Qeveri ka nisur një epokë e re për Kosovën dhe për Malishevën.

“Shteti i Kosovës do ta rikthejë dinjitetin qytetarit”, theksoi kreu i Nismës.

E nënkryetari i Nismës, Bilall Sherifi, tha se Nisma e ka dëshmuar se në qendër të programit e zhvillimin ekonomik të vendit e forcimin e sovranitetit të vendit.

Ai tha se me zhvillimin e bujqësisë, si një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e vendit, mund të bëhet revolucion.

Ragip Begaj, kandidat për ta drejtuar edhe katër vjet Komunën e Malishevës, premtoi ndërtimin e shkollave të reja, salla sporti në shkolla, zhvillimin e infrastrukturës si dhe 6 milionë euro investime në bujqësi.

Të ngjashme