Limaj në Leposaviq: Dora e shtetit duhet të ndjehet në këtë pjesë

Leposaviq | 10 Tet 2017 | 16:21 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka vizituar banorët e fshatrave me shumicë shqiptare në komunën e Leposaviqit.

Ndalesa e parë ishte në fshatin Kushtovë.

Ai vizitoi edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe zyrën cilivile në këtë komunë, e cila është ndërtuar që  dy vjet mirëpo nuk është funksionale për shkak të mungesës së inventarit.

Mungesa e transportit, infrastrukturës rrugore, investimeve, ishin disa nga problemet që banorët e kësaj ane shpalosën para kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj.

Bartësi i listës së Nismës, në Leposaviq, Xhemshit Bekteshi, tha se shpreson shumë që do të arrijnë shumë gjëra të realizohen me Nismën në qeverisje.

“Infrastruktura, shëndetësia, mjeku vjen një herë në javë dhe me shumë vështirësi, në fushën ekonomike sa i përket punësimit jemi shumë mbrapa. Jemi shumë të anashkaluar”, tha Bekteshi, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa kryetari i Nismës, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se në këto pjesë nuk mund të flas në baza partiake por në atë shtetërore.

“Këtu nuk mundem me fol mbi baza partiake këtu duhet me fol si shtet,  këtu neve nuk na intereson çfarë partie politike i takojnë. Keni pasur telashe e probleme të shumta. E di që prisni me i zgjidh problemet dhe besoj që koha e llafeve ka përfunduar”, tha Limaj.

Më tej Limaj tha se pret nga dora e shtetit, që të veprohet në këtë vend. “Po pres që dora e shtetit me u ndi fort në këtë vend. Ajo çka mundem me ju siguru është që atje keni me pas një zë të rëndësishëm në trajtimin e problemeve dhe nevojave tuaj”, theksoi ai.

Ai banorëve të kësaj pjese të komunës së Leposaviqit iu bëri apel që të mos largohen nga vendi i tyre.

Limaj ndër të tjera tha se do të jetë zë i kësaj zone në Qeverinë e Kosovës.

Të ngjashme