Limaj: Qytetarët po bashkohen për ndryshimin në Drenas

Drenas | 18 Tet 2017 | 22:13 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma për Kosovën përmbylli sonte fushatën në Drenas, njëra nga komunat ku ky subjekt synon rezultat të mirë në zgjedhjet e së dielës.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se qytetarët e Drenasit po i bashkohen rreth Nismës dhe kandidatit të tyre, Isa Xhemajlaj, për ndryshim.

Ndryshe nga subjektet e tjera që mundohen të mashtrojnë e të rrënojnë, Limaj tha se Nisma po mundohet të bashkojë njerëz të mirë të të gjitha subjekteve për të sjellë ndryshimin dhe për të qenë zëri i të gjithë atyre që iu bëhet padrejtë.

“Ne edhe sonte jemi këtu, sikurse tash e një muaj. Ajo që ka filluar më herët në Drenas duhet të përfundojë më 22 tetor. Ky bashkim i njerëzve të fushave të ndryshme tregon konceptin që përfaqësojmë ne. Ne besojmë që vizioni ynë bashkon e afron njerëz. Përderisa në njërën anë të tjerët mashtrojnë dhe shpifin, në anën tjetër e keni grupin tjetër që tenton që gjithçka që është ndërtuar deri më tani me rrënu. Në mes të kësaj jemi ne që po tentojmë të bashkojmë njerëz”, u shpreh lideri i Nismës.

“Besojmë që në çdo parti ka njerëz të mirë që janë injoruar, janë heshtur, janë bllokuar. Për ta jemi dalë me i bashku kudo që kanë qenë dje me ia ofru një mundësi Drenasit. Ne duam një Komunë që dëshiron të udhëheqë me këta njerëz. Dhe ne besojmë që kandidati ynë, Isa Xhemajlaj, mund t’i afrojë këta njerëz”.

“Ne nuk këqyrim prapa, ne nuk shajmë; ne këqyrim përpara. Derisa ata shpifin e mashtrojnë, kandidatët tanë kanë për detyrë të përfaqësojnë të varfrit, bujqit, ata që janë injoruar deri më tani”.

Xhemajlaj: Mos e votoni një humorist

Kandidati për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, tha se ka ardhur koha që Drenasi të mos udhëhiqet nga një “humorist”, i cili është i njohur për klikime e shaka në internet. Ai tha se prioritet të qeverisjes së tij do të ketë trajtimin e barabartë të të gjithëve dhe zhvillimin ekonomik të Drenasit.

“Nuk mundem më t’i shoh njerëzit pa shpresë, nuk mund më që Drenasi të jetë i njohur për klikime për shaka e cerkuze; që t’i vijë keq një qytetari që është nga Drenasi. Është fat i madh që Drenasi ka ekonomistë, njerëz të të gjitha fushave. Nuk mundet më që Drenasi të udhëhiqet nga një humorist”, u shpreh Xhemajlaj.

Sipas tij, Nisma për Kosovën ka hartuar një plan për qeverisje. “Nuk do të jemi fitues të rastësishëm dhe nuk do t’i kryejmë punët shkel e shko. Në këtë program gjashtë-pikësh prioritet i kemi dhënë qeverisjes së mirë”.

“Të gjithë do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit. I kemi kushtuar rëndësi të madh zhvillimit ekonomik. Edhe ato pak fabrika, pak ferma që i patëm, i privatizuan; jo për interes të qytetarëve të Drenasit, por për interes familjar e klanor”.

“Ne nuk premtojmë 100 mijë vende të punës, por premtojmë që rinia nuk do të kërkojë punë në perëndim e as të jetë e injoruar; që të shfrytëzohet mundi juaj për përfitimet e tyre”.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, tha se qëllimi i Nismës nuk është që me çdo kusht të ketë pushtetin, por që njerëzit e Nismës të mund të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Ne jemi të bindur se kandidati ynë është më i miri në çdo aspekt. Isa Xhemajlaj ka qenë në shërbim të qytetarëve. Gjithë biografia e tij është dëshmi se ky do ta bëjë ndryshimin në qeverisjen e Drenasit”, ka theksuar Krasniqi.

Të ngjashme