Lista Serbe kthehet në Kuvend për të mos i humbur mandatet

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 09:11 | Nga

Lista Serbe ka vendosur të kthehet në Kuvendin e Kosovës nën arsyetimin se këtë akt po e bënë në interes të komunitetit serb që jeton në Kosovë.

Por, në fakt është një arsye krejt tjetër që e ka shtyrë këtë subjekt politikë t’i kthehet punës në organin ligjbërës të vendit.

Bëhet fjalë për ruajtjen e mandateve të deputetëve, pasi ato mund t’u humbin nëse nuk kthehen në punë pas gjashtë muajve mungesë pa arsye, shkruan AktivPress.

Marrja e mandateve është e përcaktuar me Rregullore të Punës së Kuvendit.

Në këtë dokument decidivisht thuhet se nëse deputeti nuk ia dëshmon kryetarit të Kuvendit faktet bindëse për çështjen(mungesën v.j), atëherë kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Dhe, pas rekomandimit të Komisionit, kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit.

Vendet e liruara të deputetëve, në çfarëdo rasti që përcaktohen me këtë rregull, plotësohen në përputhje me nenin 70.5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 112 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Deputetët e Listës Serbe, me 9 nëntor 2016 kanë vendosur që ta pezullojnë punën në Kuvendin e Kosovës duke thënë se nuk e njohin asnjë vendim lidhur me çështjen e Trepçës.

Meritat për kthimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, tash pretendohen t’i atribuohen kryeministrit serb, Aleksandër Vuciq.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka deklaruar se kthimin po e bëjnë “që t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ta pengojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme