Lunaçek: Rruga euro-integruese e Kosovës është e pakthyeshme

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 11:59 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka takuar, Ulrike Lunaçek, nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe Raportuese për Kosovën pranë Komisionit të Parlamentit Evropian për Kosovën.

Vizita e Lunaçek po zhvillohet pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian, raport që evidenton hapat pozitiv të Kosovës por edhe kriteret që duhen përmbushur për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave.

Forcimi i shtetit ligjor është kriteri i dytë, theksoi Ministrja Hoxha, dhe shprehu përkushtimin e realizimit të reformave për sundimin e ligjit, konsolidimin e qeverisjes së mirë por edhe reformat ekonomike, në funksion të këtij kriteri. Këto, sipas saj, arrihen bashkërisht përmes koordinimit dhe mbikëqyrjes nga ana e BE-së.

“Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit, përfshin politikat kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, sistemin e llogaridhënies, transparencës së funksionimit të institucioneve. Ne do t’i adresojmë këto rekomandime”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.

Ministrja më tej foli për ecurinë e rishikimit gjithëpërfshirës të legjislacionit, me theks të veçantë për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale që prekin çështjet thelbësore të evidentuara në Raportin e Progresit.

Lunaçek potencoi se progresi i arritur duhet çuar përpara sepse rruga euro-integruese e Kosovës është e pakthyeshme dhe ofroi mbështetjen e saj të plotë që ky proces të përmbyllet sa më parë dhe me sukses.

Ministrja Hoxha e falënderoi Lunaçek dhe theksoi se mirëpret që së bashku, në koordinim, të realizojnë sa më parë kriteret për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, si një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian duke fuqizuar sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor.

img_7794

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme