Me 20 deputetë në sallë, Xhavit Haliti thotë se po shqyrtojnë seriozisht projektligjet

Prishtinë | 19 Tet 2018 | 18:10 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi ka bërë shqyrtimin e parë të  Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës  Shtetërore dhe të agjencive të pavarura, por nuk e ka votuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Në fillim të kësaj pike, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare për mos prezencë në seancë, derisa kërkoi që seanca të ndërpritet, raporton EkonomiaOnline.

“Është  mjerim. Jemi vetëm 21 deputetë. Për mua është e pakuptimtë pse nuk është asnjë shef i grupit parlamentar të pozitës. Ftoj që të ndërprehet seanca dhe të vazhdojnë njëherë tjetër sepse po bëhet hajgare,” është shprehur Musliu.

Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti iu përgjigj duke thënë se nuk po bëjnë, hajgare por po shqyrtojnë projektligje.

“Nuk po bëjmë hajgare, po shqyrtojmë ligjet,” tha Haliti.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se duke pasur parasysh laramaninë e shkaktuar në praktikë ndërmjet organeve të Administratës Shtetërore dhe agjencive të pavarura të sa i përket funksionimit dhe strukturës organizative, me këtë projektligj evitohen këto probleme.

“Ky projektligj i eviton këto parregullsi dhe krijon një kuadër koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mirëfunksionimin, përgjegjshmërinë dhe performancën e institucioneve të administratës shtetërore. Ky projektligj parasheh edhe  organizimin homogjen të agjencive ekzekutive në kuadër të ministrive. Me këtë projektligj agjencitë do të funksionojnë në kuadër të sistemit ministror, mirëpo do të ruajnë specializimin e funksionimit të tyre për aq sa është e nevojshme”.

Nait Hasani në emër të komisionit funksional tha se qëllimi i projektligjit është shumë i rëndësishëm sepse administrata shtetërore, sipas tij, ka mjaft vështirësi në funksionimin e saj dhe se me anë të këtij projektligji ka mundësi të mirë organizimi, por ka mundësi për një organizim edhe të agjencive të pavarura.

“Një prioritet ka qenë dhe është një strategji që është bërë në 2015-ën për modernizimin e administratës publike. Prandaj, po kërkojmë që në tri pikat ku është përcaktuar zhvillimi i administratës, shërbimi civil, ofrimi i shërbimeve publike, riorganizimi dhe llogaridhënia në administratën publike. Të gjitha këto kanë mundësi me plotësim ndryshime të këtij ligji”.

Deputetja, Xhevahire Izmaku, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se duhet të shikohet neni i cili propozon që kryeministrit i lejohet të krijojë agjenci të reja, raporton EO.

“Kjo po mendoj që është mirë të shikohet. Ne e kemi qëllimin ta bëjmë më racionale dhe jo të shtojmë ende të tjera. Nëse i jepet si përgjegjësi, duhet me tejkalu diku tjetër dhe jo me qenë pozicion autoritativ”.

Shqiper Pantina nga PSD-ja ka kërkuar që të shqyrtohet numri i agjencive me kompetenca të përziera, për të cilin tha se është shumë i madh.

“Dje e miratuam ligjin për Kompleksin memorial ‘Adem Jashari’, dhe mendoj që një nga arsyet shtesë që ka mbetur ashtu është sepse kanë dy-tri institucione që kanë përgjegjësi çështjen e memorialëve. Është Ministria e Mjedisit, dhe në anën tjetër e kemi një agjenci të veçantë, prapë vijmë në një situatë kur ato mbesin pa përkujdesje sepse janë shumë institucione dhe ti nuk e din kujt t’i kërkosh përgjegjësi”.

Rasim Selmanaj në emër të GP të AAK tha se përkrahin në parim këtë projektligj.

“Meqë edhe ky projektligj është në kuadër të pakos së reformës së administratës e përkrahim në parim dhe kontributin tonë do ta japim në mes të dy leximeve”.

Të ngjashme