Mërgata shqiptare në Austri kërkon shkarkimin e ministrit Dardan Gashi

Prishtinë | 14 Tet 2017 | 11:31 | Nga

Përfaqësues të shoqatave shqiptare në Austri, dhe veprimtarë të shquar me kontribut të veçantë për çështjen kombëtare shqiptare, kanë shprehur indinjatën e tyre të thellë rreth zgjedhjes së Dardan Gashit, në krye të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike së Republikës së Kosovës.

Për këtë, fillimisht diaspora shqiptare nga Austria, ju ka drejtuar me një letër të hapur zyrtare kryeministrit Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe subjekteve shqiptare të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.

Kjo letër e hapur drejtuar krerëve të shtetit të Kosovës, e në veçanti kryeministrit Haradinaj, është edhe një shenjë revolte dhe pakënaqësie ndaj zgjedhjes së kabinetit të tij qeveritarë. Sipas të gjitha gjasave, kreu i ekzekutivit, Haradinaj, do të përballët me sfidën e dytë, të kundërshtimeve të qytetarëve, në këtë rast të Diasporës shqiptare, ndaj zgjedhjes së ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

Iniciuesit e kësaj iniciative, kanë deklaruar për Kosova.info, se presin reflektim nga krerëve të shtetit, posaçërisht nga kryeministri Haradinaj për çështjen e lartpërmendur, edhe pse, sipas tyre, deri më tani, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje për letrën e hapur drejtuar institucioneve të Kosovës, të dërguar me 22 shtator 2017.

Avdulla Avdullahu, si iniciues i kësaj iniciative, ka deklaruar për Kosova.info se veprimtarë të shquar me kontribut të veçantë për çështjen kombëtare dhe përfaqësues të shoqatave të shumta nuk mund të rrinin indiferentë karshi përzgjedhjes së Dardan Gashi për ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, prandaj, sipas tij, letra e hapur shpreh indinjatën e thellë lidhur me këtë akt.

“Është reagim që ka për synim mbështetjen e procesit të shtetformimit me kuadro dhe njerëz të dëshmuar, e jo me misit dhe të tillë si Gashi. Për këtë, ne u jemi drejtuar Kryeministrit, Presidentit dhe Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, si dhe subjekteve politike shqiptare të përfaqësuara në Parlamentin e shtetit të Kosovës. Për këtë çështje, ne akoma nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga të lartpërmendurit për shqetësimin e shprehur përmes letrës së hapur. Megjithatë, shpresojmë në reagimin konkret të tyre”, ka theksuar Avdullahu.

Fillimisht, ai ka veçuar se Diaspora shqiptare në Austri, ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve të përfaqësuesve të shoqatave dhe subjekteve të ndryshme shqiptare.

“Pra letrës së hapur i janë bashkangjitur nënshkrimet e përfaqësuesve të subjekteve shqiptare dhe veprimtarëve të shumtë. Ne në të vërtetë nuk kemi mbledhur nënshkrime përpos nënshkrimeve të subjekteve që janë skanuar dhe bashkë me letrën e hapur janë dërguar përmes postës elektronike në adresat e lartshënuara, dhe ky ka qenë hapi i parë”, ka theksuar Avdullahu.

Megjithatë, Avdullahu shpreson se kryeministri Haradinaj, do ta shqyrtojë letrën e hapur dhe të marrë në konsideratë reagimin e Diasporës, të reflektojë ashtu si e do interesi i vendit pra shtetit të Kosovës, e jo sipas dëshirave dhe interesave të ndryshme grupore e klanore.

Ai ka shtuar se shqetësimi i Diasporës, është shumë serioz dhe decidiv pa u lëshuar në shpjegime dhe argumentime në lidhje me rëndësinë e Diasporës si ne aspektin ekonomik ashtu edhe politik.

Në pyetjen e Kosova.info, se kush mund të jetë ai person që është i denjët për t”i shërbyer Diasporës në mënyrë me transparente dhe llogaridhënëse, Avdullahu është përgjigjur se si brenda në Kosovë, ashtu dhe në Diasporë ka individë dhe ish veprimtarë që janë të denjë të përfaqësojnë dhe merren me zgjidhjen e problemeve të Diasporës.

“P.sh. ish ministri Ibrahim Makolli dhe Valon Murati, që të dy mendoj unë kanë kryer detyrën në mënyrë të dinjitetshme. Tani llogaridhënia tek ne është temë që për momentin nuk kapërdihet, por ne shpresojmë që të vije dita, kur dhe ne do mësohemi me llogaridhënie dhe me transparencën, ndërsa në perëndim ke sa të duash të rinj e te reja, që janë shkolluar dhe janë të denjë/a, ta përfaqësojnë Diasporën, pra njerëz kemi sa të doni, por mungon sistemi i konkurrencës dhe politikës kadrovike”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Avdullahu pretë që letra e hapur të merret në konsideratë dhe të shqyrtohet ashtu si e do interesi i përbashkët.

“Shpresojmë që kontributi ynë që përbënë aktualisht 1/3 e buxhetit të Kosovës, do të jetë faktor i mjaftueshëm për të shqyrtuar kërkesën tone, e cila edhe mund të kaloj kufijtë e Austrisë. Për hapat e mëtutjeshëm do informoheni me kohë. Ne nuk do nxitohemi, jemi të gatshëm të ballafaqohemi me fakte në një debat të drejtpërdrejtë me organet e pushtetit të Republikës së Kosovës për çështjen e parashtruar”, ka përfunduar Avdullahu.

Por, asnjë nga tri institucionet e lartpërmendura, për pesë ditë më radhë, nuk ua janë përgjigjur interesimit të Kosova.info-s, se a ka arritur letra e hapur nga Diaspora për çështjen e ministrit Gashi, dhe cili do të jetë reflektimi it tyre karshi kërkesës së Diasporës shqiptare.

Në pyetjet e Kosova.info-s, drejtuar krerëve të tri institucioneve të shtetit, thuhet se: Cili do të jetë reflektimi i krerëve të shtetit ndaj shqetësimit të bashkatdhetarëve tanë në Diasporë, në veçanti të Austrisë, sa i përket çështjes në fjalë, pasi që letra e lartpërmendur tashmë ka disa ditë që ka arritur në këto tri institucione?, dhe : Përpos kësaj letre, përfaqësues te shoqatave shqiptare në Austri, kanë filluar edhe mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Gashi nga posti i ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Sipas tyre, ata do të vazhdojnë edhe në shtetet tjera. fillimisht ne Zvicër dhe Gjermani, e po ashtu edhe në shtete tjera, në mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Gashi.

Në anën tjetër, në letrën drejtuar krerëve të tri institucioneve kryesore të shtetit thuhet se:

Jemi të detyruar të sqarojmë:

“E kaluara e Gashi ka qenë kundër lëvizjes çlirimtare të Kosovës, duke u bërë pengesë e lëvizjes popullore për liri dhe pavarësi.

Në zjarrin e luftës kur Kosova digjej nga ushtria serbe dhe popullsia e pafajshme u detyrua të emigroj jashtë kufijve të saj, qëndrimi i këtij politikani ka qenë në mbështetje të qarqeve të caktuara anti shqiptare.

Si përfaqësues të shoqatave shqiptare që veprojnë në diasporë, shprehim indinjatën tonë të thellë në përzgjedhjen e këtij personaliteti, i cili është caktuar të përfaqësoj diasporën në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ju lutëm të shikoni mundësinë e zëvendësimit të kësaj figure diskredituese në të kaluarën me një person, i cili ka kontributet e tij, si nga e kaluara dhe nga e sotmja në Kosovë.

Rreth akuzës së bërë ndaj një qeveritari të posa zgjedhur, jemi gati të paraqesim dëshmitë në ballafaqime të drejtpërdrejta”, thuhet në letër.

Kush është Dardan Gashi

Dardan Gashi u zhvendos në Vjenë, Austri, ku kreu studimet e Shkencave Politike dhe Komunikimit në Universitetin e Vjenës. Karrierën e tij e filloi si mbikëqyrës i zgjedhjeve me OSBE-në, Misioni në Bosnje e Hercegovinë. Në vitin 1997, Gashi u bë zyrtar i zgjedhjeve, drejtor i zyrës në terren në Federatën e Bërckës. Gjatë atij viti, ai u zhvendos në Kroaci, me pozitën e monitoruesit të të drejtave të njeriut, dhe përgjatë vitit të ardhshëm lëvizi nëpër vendet ballkanike, si pjesë e misioneve të OSBE-së.

Gashi ka punuar në Misionin Verifikues, si Zyrtar për Informim i Zyrës Ndërlidhëse të Sekretariatit të OSBE-së në Vjenë. Pas luftës, ai vazhdoi punën me OSBE, dhe dha kontributin e tij në planet e ndërtimit të institucioneve, politikave mediale, regjistrimit të popullsisë dhe zgjedhjeve elektorale.

Gjatë vitit 2000, Gashi punoi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Tribunalin e Hagës për krime në Ish-Jugosllavi, Iniciativën Evropiane për Stabilitet, etj.

Nga viti 2005 deri më 2008, Gashi vazhdoi karrierën e tij politike në zyrën e zëvendës kryeministrit/Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Fillimisht, ai kryesoi grupin punues për decentralizim, dhe mori pjesë në të gjitha takimet gjatë Negociatave të Vjenës, si këshilltar i lartë. Njëkohësisht, ai kryesoi edhe grupin punues të Kthimit përbrenda procesit të Dialogut të drejtpërdrejt me Beogradin.

Në qershor të vitit 2010, Gashi u bë zëvendësministër i Integrimeve Evropiane. Këtë pozitë e mbajti deri në janar 2011, kur emri i tij u propozua për Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas zgjedhjeve kombëtare të vitit 2010.

Kurse, në Qeverinë Haradinaj, Dardan Gashi është emëruar zv.kryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Përndryshe, redaksia e Kosova.info për disa ditë rresht ka provuar të kontaktoj me ministrin Gashi për kërkesën e shoqatave shqiptare ne Austri, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme