Ministri i Diasporës ka vizituar shqiptarët që jetojnë në Shtutgard

Prishtinë | 18 Mar 2018 | 09:43 | Nga

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka vizituar qytetin e Shtutgardit në landin e Baden Vutenbergut ku jetojnë rreth 120 mijë shqiptarë.

Gjatë takimit me përfaqësues të shoqatave nga qytete të ndryshme mbajtur në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgard, ai i informoi për proceset nëpër të cilat po kalon Ministria e Diasporës në këtë moment, si dhe për planet në të ardhmen e afërt që pritet të jetësohen në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Diasporës të Shqipërisë sipas marrëveshjeve të nënshkruara.

“Shumë shpejt, ne do të emërojmë një person përfaqësues të Ministrisë tonë në Ambasadën e Kosovës në Berlin, i cili do të merret ekskluzivisht me kërkesat dhe shqetësimet tuaja – pra do të jetë personi kontaktues për ju. Kjo do ta bëjë shumë të lehët edhe bashkëpunimin dhe komunikimin mes nesh”, tha Gashi.

Ministri po ashtu, në pyetjet rreth kartonit të gjelbër, tregoi se pagesa online që do të evitojë pritjet e gjata në kufi, është vetëm çështje javësh kur edhe do të fillojë së funksionuari, ndërsa është duke u punuar edhe në eliminimin e tërësishëm të kësaj pagese, por që si proces mund të merr kohë.

Në këtë land, ministri Gashi ndaloi te shkolla shqipe në Eppingen ku mori pjesë në hapjen e modulit të dytë të trajnimit për mësimdhënësit e gjuhës shqipe në këtë land, e që modul është i certifikuar edhe nga enti shkollor i qytetit të Heilbronn.

Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi u takua edhe me drejtoreshën e Shkollës ku po mbahet trajnimi, ndërsa përgëzoi mësimdhënësit për punën e tyre ndërsa porositi që të punohet sa më tepër më ndërgjegjësimin e prindërve dhe fëmijëve që të marrin pjesë në procesin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

“Jam i gëzuar që shoh se mësimdhënësit këtu së bashku me autoritetet gjermane kanë arrit këtë nivel të mësimit konsullor të gjuhës shqipe, dhe është tejet inkurajuese kjo që po e shoh”, u shpreh Gashi.

Në fund, ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, ndaloi edhe për vizitë te shkolla shqipe në Fellbach, dhe ishte prezent gjatë një ore të mësimit.

Aty porosia ishte e shkurtë dhe e qartë për fëmijët: “Ju lutem, merreni ju të gjithë edhe nga një shoqe, shok tuajin dhe silleni në shkollë për të mësuar gjuhën, historinë, gjeografinë dhe kulturën e identitetin shqiptar”.

Diaspora gjermane është kontribuesi më i madh në Kosovë më anë të remitancave të cilat arrijnë shumën e rreth 350 milionë EUR në vit, ndërsa po ashtu prin edhe me shumën e investimeve të bëra në Kosovë nga afaristët shqiptaro-gjerman.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme