Ministria e Drejtësisë nuk do të ketë asnjë kompetencë për disiplinimin e gjykatësve dhe prokurorëve

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 10:17 | Nga

Ministria e Drejtësisë njofton publikun se projekt-ligji për përgjegjësinë disiplinore për gjykatësit dhe prokurorët ende nuk është finalizuar. Pas konsultimeve me Kryetarët e Gjykatave dhe Prokurorin e Shtetit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Avokatin e Popullit, shoqërinë civile si dhe me partnerët ndërkombëtarë, Ministria është duke e përgatitur projekt-ligjin i cili do të finalizohet brenda një kohe të shkurtë.

Ky reagim i MD-së vjen pas materialit të publikuar në portalin Koha.net, të datës 17 prill 2017, me titull “Synohet që masat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të mund t’i marrë edhe Ministria”, është cekur se në projekt-ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve “parashihet që masat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve përveç kryetarëve të gjykatave dhe prokurorive, mund t’i marrë edhe ministri i Drejtësisë”.

MD sqaron se çdo dokument i cili mund të qarkullojë në publik nuk është përfundimtar por vetëm dokument pune për nevojat e konsultimit me palët përkatëse. Për këtë arsye edhe komentet që bazohen në këto dokumente pune janë të parakohshme dhe të gabuara.

Ministria e Drejtësisë dëshiron të sqarojë për publikun se me rekomandimin e pranisë së Bashkësisë Evropiane në Kosovë do të merret për bazë modeli kroat i përgjegjësisë disiplinore i cili do t’i përshtatet rrethanave dhe kushteve institucionale të Kosovës. Sipas këtij modeli, përkundër deklaratave të parakohshme, Ministria e Drejtësisë nuk do të ketë asnjë kompetencë për të disiplinuar gjykatësit dhe prokurorët.

Këtë kompetencë e kanë ekskluzivisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Megjithatë, Kryetarët e Gjykatave, Prokurori i Shtetit, Ministria e Drejtësisë si dhe Avokati i Popullit, ashtu si edhe qytetarët e Kosovës, do të kenë të drejtë që të paraqesin para Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës kërkesën që të fillojnë hetimet kundër një gjykatësi ose prokurori nëse ka bazë se ata kanë kryer shkelje disiplinore.

Hetimi nuk do të bëhet më nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, por nga një komision disiplinor i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përkatësisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Kur hetohet një gjykatës, komisioni disiplinor do të përbëhet nga gjykatës të një gjykate tjetër, ndërsa në rastin e një prokurori nga prokurorë të një prokurorie tjetër.

Me këtë adresohet ankesa e gjykatësve dhe prokurorëve se janë duke u hetuar nga zyrtar të punësuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor të cilët nuk kanë përvojë me procedurat gjyqësore ose punën e prokurorëve, përveç faktit që kjo zyre kritikohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë për mungesë transparence dhe llogaridhënie. Vendimin përfundimtar për disiplinimin e gjykatësve dhe prokurorëve e merr Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përkatësisht Këshilli Prokurorial i Kosovës, kundër të cilit do të lejohet mbrojtja gjyqësore para Gjykatës Supreme. Vendimet do të publikohen për të rritur transparencën e procesit.

Ministria e Drejtësisë dëshiron të sigurojë publikun se është duke e finalizuar projekt-ligjin në fjalë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht ShBA, dhe është duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e BE, përfshirë këtu dokumentet për standardet ndërkombëtare dhe evropiane, sidomos ato të Këshillit të Evropës, me qëllim që të realizohet standardi sa më i lartë i efikasitetit. Për këtë arsye ftohen të gjitha palët që të përmbahen nga komentet e parakohshme dhe të paqëndrueshme me qëllim që të mos keqinformohet publiku. Ministria e Drejtësisë fton në veçanti mediat që të informohen drejtpërdrejtë në Ministri për zhvillimet aktuale dhe të përmbahen nga raportime të pabazuara që mund t’ju shërbejnë vetëm grupeve të interesit të cilëve nuk ju konvenon një gjyqësor i përgjegjshëm, transparent dhe efikas.

Të ngjashme