Ministrja Hoxha takoi euro-deputetin Kukan, procesi integrues të dinamizohet

Podgoricë | 16 Tet 2017 | 18:53 | Nga

Gjatë konferencës dedikuar 10-vjetorit të nënshkrimit të MSA-së mes Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian, ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar deputetin e Parlamentit Evropian, Eduard Kukan.

Sipas një komunikate të MIE-s, ministrja Hoxha dhe eurodeputeti Kukan u pajtuan se procesi integrues duhet dinamizuar.

Ministrja Hoxha e falënderoi Kukanin për përkushtimin e pakursyer në procesin euro-integrues të Ballkanit Perëndimor.

“Procesi integrues, për neve nuk është alternativë, është rruga jonë e vetme. Përkushtimi ynë në këtë drejtim është i fuqishëm. Kemi dhënë afatet për institucionet përgjegjëse për zbatimin e prioritetit tonë nacional-procesit integrues”, ka thënë ministrja Hoxha.

Kukan theksoi se vlerëson punën dhe përkushtimin e Kosovës në procesin integrues, të arriturat, vlerat dhe synimet duke potencuar edhe një herë se Kosovë ka të ardhme evropiane.

Ai vuri në dukje se marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë e arritur e Kosovës dhe zbatimi i MSA-së, gjen përkrahje të fuqishme edhe në Parlamentin Evropian.

Të ngjashme