Ministrja Hoxha uron votimin pozitiv në Parlamentin Evropian: Urime për këtë sukses të përbashkët!

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 12:32 | Nga

Ministrja Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës, pas votimit në Parlamentin Evropian, për liberalizimin e vizave.

Ja postimi i Ministres Hoxha:

“Qytetarë të nderuar,

Pas kërkesës së Komisionit LIBE për Grupet parlamentare të Parlamentit Evropian, sot hyri në rend dite dhe u votua për liberalizimin e vizave. Ky është një lajm i mirë për qytetarët tanë, për lëvizjen e lirë, për të ardhmen e rinisë tonë.

Institucionet tona, të nivelit qendror dhe lokal, me përkushtim kanë realizuar të gjitha kushtet për liberalizim. Pas kësaj pune të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe nivelet, ky votim i sotëm, është mirënjohje dhe dëshmi se qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë.

Sot, Kosova dhe qytetarët e saj, morën edhe mirënjohjen për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Kemi theksuar se mirëqenia e qytetarëve është dhe mbetet prioritet yni. Qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë, që tashmë jemi vetëm një hap larg.

Falënderoj raportuesit për Kosovën dhe Grupet parlamentare në Parlamentin Evropian, si dhe euro deputetët që patën mirëkuptim për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, angazhimin permanent që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë. Shpreh respekt të thellë dhe të sinqertë, edhe në emër të qytetarëve të Kosovës për zonjën Fajon për gjithë çka ka bërë për këtë proces tejet të rëndësishëm.

Urime për këtë sukses të përbashkët!”

Të ngjashme