Mitrovica e pret Kadri Veselin si kryeministër

Mitrovicë | 14 Maj 2017 | 16:41 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar sot strukturat e PDK-së në Mitrovicë, para të cilave ka deklaruar se kjo është një periudhë vendimtare për vendin dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai është pritur si Kryeministër nga bashkëvendësit e tij në Mitrovicë, shumë prej të cilëve kishin veshur bluza me mbishkrimin “Mirë se vjen, Kryeministër”.

Veseli ka pohuar se kjo periudhë nuk do të jetë lehtë, prandaj ka kërkuar nga të gjithë që ta kuptojnë se sa të rëndësishme janë javët në vijim për vendin dhe PDK-në.

“E para – kurrë mos harroni se sa krenarë duhet të jeni secili prej jush si anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ne jemi pjesëtarë të partisë që e ka ndërtuar kaq shumë vendin tonë. Jam krenar që kur PDK-ja e ka udhëhequr qeverinë e Kosovës, ne keni ndërtuar rrugë dhe shkolla, i kemi rritur pagat, dhe e kemi çuar vendin tonë përpara më shpejt”, është shprehur Veseli.

Lideri i PDK-së, në vazhdim, ka thënë se PDK është parti që beson në të ardhmen dhe është e përkushtuar për një të ardhme më të mirë për çdo brez në krahasim me gjeneratat e mëparshme.

“Ne kemi luftuar me guxim për pavarësinë tonë. Ne kemi punuar pareshtur për të ndërtuar institucionet e shtetit tonë”, ka thënë ai.

“Sot, ne i shikojmë qytetarët e Kosovës dhe e kuptojmë fare qartë se ata kanë besuar se kjo qeveri, nën udhëheqjen e Isa Mustafës, nuk ka punuar sa duhet për ata. Qytetarët e Kosovës kërkuan zhvillim më të shpejt ekonomik. Ata kërkuan integrim të plotë në Bashkimin Evropian. Ata kërkuan një ushtri që do të mund të mbronte qytetarët e Kosovës dhe të ishte një forcë për stabilitetin në rajon”, ka shtuar ai.

Veseli ka thënë se nevojat e qytetarëve nuk janë përmbushur nga Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, prandaj, sipas tij, kjo është arsyeja pse po shkohet në zgjedhje.

“Dua të jem fare i qartë – arsyeja pse ne po shkojmë në zgjedhje është sepse ekonomia jonë ka ngecur, krijimi i vendeve të punës ka stagnuar, dhe ne nuk po lëvizim drejt integrimit të vendit në BE në ritmin e duhur. Arsyeja pse ne po shkojmë në zgjedhje nuk ka të bëjë me asnjë arsye politike apo për shkak të PDK-së, kjo po ndodhë për shkak se lidershipi i Mustafës dështoi para qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Kryetari i PDK-së, po ashtu, ka thënë se qytetarët vendosin se kush do ta qeverisë vendin dhe kush nuk mund ta udhëheqë vendin.

“Janë gjithmonë qytetarët ndaj të cilëve ne mbajmë përgjegjësi. Jo vetëm ndaj anëtarëve të partisë sonë, por të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ndaj burrave dhe grave, të rinjve dhe të moshuarve, aktivistëve të PDK-së, pjesëtarëve të partive të tjera, dhe madje ndaj edhe atyre që nuk votojnë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Është koha për një fillim të ri”, ka thënë Veseli.


Të ngjashme