Molliqaj flet për linçime e “gjuajtje shtrigash” ndaj tij

Prishtinë | 14 Dhj 2017 | 17:47 | Nga

Ish-sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Dardan Molliqaj, ka vendosur ta thyej heshtjen për zhvillimet e fundit në këtë lëvizje.

Në profilin e vet në “Facebook”, deputeti i kësaj partie ka shkruar se për këto zhvillime nuk ka dashur të flas derisa të lirohet nga burgu Albin Kurti. Por, sipas tij, situata aktuale e ka detyruar të deklarohet për këtë çështje.

Ai thotë se këto ditë, janë bërë keqinformime dhe shumë shpifje në drejtim të tij dhe shumë personaliteteve të LV-së. “Janë bërë linçime e ‘gjuajtje shtrigash’”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Dardan Molliqajt:

Të dashur aktivistë, simpatizues dhe qytetarë të Republikës,

Jam i vetëdijshëm që edhe ju e ndani me neve shqetësimin lidhur me problemet e fundit brenda Lëvizjes Vetëvendosje!.

Këto ditë, ju jeni keqinformuar shumë dhe janë bërë shumë shpifje në drejtim timin dhe shumë personaliteteve të Lëvizjes sonë. Janë bërë linçime e “gjuajtje shtrigash”.

Kam pranuar shumë mesazhe nga ju me shumë pyetje lidhur me situatën aktuale brenda Lëvizjes. Ju kërkoj falje të gjithëve që nuk ju kam kthyer përgjigje, por kjo ka ndodhur për shkak të kohës së limituar dhe angazhimit tim për ta tejkaluar këtë problem.

Po ashtu, unë kam refuzuar të flas për këto çështje përderisa deputeti Albin Kurti mbahet padrejtësisht në burg. Por, situata në të cilën jemi tash, ma ka imponuar që të deklarohem dhe të ju drejtohem përmes medieve.

Sonte jam i ftuar në Klan Kosova nga ora 21:00. Në këtë emision do të mundohem t’ju kthej përgjigje secilit prej juve në lidhje me shqetësimet që i keni dhe do t’i demantoj shpifjet dhe ta sqaroj situatën në organizatën tonë.

Emisioni do të transmetohet live edhe në faqen time në Facebook.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme