Mospajtime mes deputetëve rreth harmonizimit të rekomandimeve të dala nga interpelancat

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 11:22 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prapë në Kuvend “tollovi” për mos-harmonizim të rekomandimeve të dala  nga interpelancat.

Në seancën e sotme parashihej që të votoheshin rekomandime të dala nga interpelancat  e mbajtura në seanca të kaluara.

Në interpelancën e thirrur nga LVV-ja lidhur me korrupsionin, nuk janë harmonizuar rekomandimet. LVV-ja mori kritika sepse nuk ftoi partitë politike për t’i harmonizuar rekomandimet, raporton Ekonomia Online.

Albulena Haxhiu insistoi t’i lexonte rekomandimet sepse, sipas saj, deputetët ende nuk i kanë lexuar pas harmonizimit.

“- Qeveria e Kosovës duhet të shkarkojë nga detyra zyrtarët e lartë që kanë aktakuza për keqpërdorim dhe korrupsion nga pozicioni që e mbajnë;

– MZHE duhet t’i dorëzojë brenda 15 ditëve raport të detajuar Kuvendit të Kosovës mbi dosjen penale të çdo anëtari të bordeve të ndërmarrjeve publike qendrore dhe regjionale;

– Kuvendi i Kosovës kërkon nga auditori i përgjithshëm të hartojë në përputhje me legjislacionin në fuqi raportin mbi rregullsinë, performancën dhe financat e organit shqyrtues të prokurimit. Këtë raport ia dorëzon kuvendit jo me larg se 90 ditë nga hyrja në fuqi e kësaj rezolute

– MPB të dërgojë raport Kuvendit me gjendjen me rastet me aktakuzë të mëhershme dhe të tashme;

– Komsionet parlamentare që mbikëqyrin punën e institucioneve të pavarua të zgjedhura nga Kuvendi duhet të themelojnë grupet e punës brenda komisioneve për të përgatitur raportin me të dhëna mbi rastet dhe aktakuzat e anëtarëve të bordeve dhe drejtuesve të institucioneve, të paraqiten këto në seancë dhe qeveri brenda 30 ditësh;

– MD në koordinim me komisionin për legjislacion të fillojë përgatitjen nismën legjislative për vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve me theks vettingun”.

Teuta Haxhiu e quajti këtë jo serioze dhe iu drejtua VV-së se nuk duhet të bëjë lojëra të tilla në Kuvend.

Bilall Sherifi tha se Nisma nuk merr pjesë as në harmonzim të këtyre rekomandimeve.

“Ato janë programi qeverisës i LVV-së, nuk jam LVV-ja, unë jam Nisma. Nëse duan të bëhen pjesë e qeverisë le të vijnë”.

Në votim morën pjesë 32 deputetë, 30 për, 1 kundër, 1 abstenim.

Xhavit Haliti i pyeti deputetët pse nuk po votojnë, meqenëse prezent janë 73 deputetë, ndërkaq kanë votuar vetëm 32.

“Unë nuk po ju kuptoj, pse nuk po votoni, nëse doni me hjek krejt votoni, ose me shty për ndonjë seancë tjetër. Në sallë janë 73 deputetë e po votojnë veç 32”.

Edhe për herë të dytë nuk realizohet votimi.

Ndërsa në votimin e rekomandimeve për Interpelancën e kryeministrit lidhur me gjendjen në Telekom, propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja, Haliti nuk ua dha fjalën deputetëve për të debatuar rreth kësaj çështjeje pasi që, sipas tij, është harmonizuar kjo rezolutë.

Albulena Haxhiu nga LVV-ja filloi të bërtiste e të thoshte se nuk është lexuar ende rezoluta e harmonizuar.

Por Xhavit Haliti u nervozua duke thënë se nuk ka njeri që mund të udhëheqë seancën duke dëgjuar qejfin e 120 deputetëve, raporton Ekonomia Online.

“Nuk ka bir nane që mund të udhëheq seancën e me jau bë qefin 120 deputetëve”.

“Nuk ju marrë juve parasysh, 120 deputetë, por vetëm rregulloren. Unë rregulloren e zbatoj. Nëse mendoni që duhet me kriju anarki dhe me zhvillu debat sipas dëshirave nuk ka nevojë për drejtues të Kuvendit hiç, e lamë foltoren flasim me rend”.

Avdullah Hoti, nga LDK-ja, tha se kërkesa e LVV-së është të lexojë rezolutën e harmonizuar dhe jo për të debatuar.

“Fjalorin që je duke e përdorë nuk i përket një kryesuesi. Kërkesa e kolegëve është që të lexohet rezoluta e harmonizuar dhe jo debat”.

Elmi Reçica, nga PDK-ja, tha se rekomandimet duhet të harmonizohen me të gjitha partitë.

“Duhet të harmonizohen rekomandimet me të gjitha partitë, e jo veç dy parti, nëse doni me ba fushatë, atëherë nuk ka zgjedhje sivjet”.

Të ngjashme