MPJ: Sjellja e Marko Gjuriqit e papranueshme

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 18:56 | Nga

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e konsideron të papranueshme sjelljen e Marko Gjuriq, udhëheqës i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, i cili hapur ka provokuar sot në veri institucionet e Kosovës dhe autoritetet e sigurisë.

Hyrja ilegale në Kosovë është kundër marrëveshjes për vizitat e ndërsjella të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të aprovohen apo ndalohen nga institucionet e të dyja shteteve të paktën 24 orë më herët. Kjo sjellje është kundër frymës së dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, thotë MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi.

MPJ bën të ditur se i ka nisur tashmë një notë proteste BE-së dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare për këtë sjellje të papranueshme të Gjuriq dhe ka koordinuar hapat e mëtejshëm me institucionet relevantë në Kosovë.

“Kjo përpjekje e tij i cili u kontrabandua në Kosovë duke u maskuar në një autoambulancë flet për qasjen dëshpëruese që ka vendosur ta ndjekë në karrierën politike”, thekson MPJ.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka marrë pjesë në hapjen e një pompe të benzinës dhe të objektit të shitjes me pakicë të Industrisë së Naftës të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme