MSA-ja përmbush pjesën e parë të vizionit evropian të Kosovës

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 10:49 | Nga

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e parë të Grupit të veçantë për normalizim në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që u mbajt dje në Bruksel.

Në këtë takim që u bashkëkryesua nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Thomas Busch, u diskutua rreth progresit dhe sfidave të dialogut të Brukselit për periudhën gjashtë vjeçare ku të dyja palët paraqitën vlerësimet e tyre rreth procesit të normalizimit e marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Ishte qëndrim i përbashkët se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate mjaft të mira me një angazhim të madh të tre palëve dhe porse u theksuan edhe sfidat në këtë proces në lidhje me marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit.

Tahiri ka theksuar se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, përmbush pjesën e parë të vizionit tonë evropian.

“E konsiderojmë atë një marrëveshje historike pasi ajo përcakton një proces të qartë dhe zyrtar të integrimit të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian”.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë rrugëtim sfidues dhe jemi të përkushtuar që të realizojmë më tej reformat evropiane në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive. Vizioni ynë është integrimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike, si një nga prioritetet kryesore strategjike të politikës sonë të jashtme”, deklaroi ai.

Në këtë drejtim, sipas saj, Republika e Kosovës është dëshmuar të jetë një faktor i besueshëm në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon përmes bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Kemi vepruar kështu sepse ne shikojmë te ardhmëria, duke mos e harruar të kaluarën tragjike të luftërave dhe vështirësive por duke mos lejuar që të jetë barrierë për ardhmërinë tonë”, tha Tahiri.

Ministrja tha se kjo është arsyeja pse Kosova është angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me shtetin fqinj Serbinë.

Sipas saj, besojnë fuqishëm se është i mundur ndërtimi i një kapitulli të marrëdhënieve paqësore të fqinjësisë ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe se dialogu gjashtë vjeçar në Bruksel ka shtuar rrugën drejt këtij qëllimi.

“Konsiderojmë se marrëdhëniet e qëndrueshme paqësore do të arrihen atëherë kur arrihet njohja e ndërsjellë në mes të dy shteteve, sa më shpejt aq më mirë”.

Tahiri tha se ky do të jetë një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe në Evropë, sepse paqja në Ballkan është paqe në Evropë.

Kjo gjithashtu do të ndihmojë në përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ç`rast ne presim që edhe BE-ja të përshpejtojë zgjatjen e një dore më të fuqishme ndaj nesh, vendeve aspiruese.

Ajo tha se Qeveria e Republikës së Kosovës i jep rëndësi të madhe dialogut të lehtësuar nga BE-ja për shkak të qëllimeve të përmendura më lartë.

“Gjatë këtyre gjashtë viteve dialogu i Brukselit ka prodhuar rezultate të rëndësishme. Ai ka kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme