MSA-ja rriti për 20 për qind eksportet në BE

Prishtinë | 01 Pri 2017 | 13:50 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA), e cila hyri në fuqi para një viti, ka vendosur standarde në cilësi dhe ka përafruar politikat monetare dhe ekonomike të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Në shënimin e njëvjetorin të hyrjes në fuqi të MSA-së dhe anëtarësimit të Doganës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, kryeministri Isa Mustafa tha se janë arritur rezultate shumë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe dhe ato shihen në rritjen vjetore të ekonomike prej 4% në dy vitet e fundi, me stabilitetin e plotë fiskal dhe makroekonomik, me stabilitetin financiar të vendit, me numrin e bizneseve që po shtohet çdo ditë, me rritje të punësimit dhe zvogëlimin e papunësisë, me krijimin e mekanizmave për përkrahje të bizneseve etj.

E ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së parë kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, ka 20 për qind eksporte rritje në BE dhe 8 për qind importe.

Mustafa: Kosova po vendoset në harta globale

Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve, tha se Kosova ngadalë por sigurt po vendoset në hartat e organizatave kryesore globale. “Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Doganave është dëshmi e pjekurisë shtetërore dhe ndërtimit të institucioneve të afta dhe kredibile të Kosovës ashtu siç është Dogana e Kosovës. Unioni Botëror i Doganave si qendër e njohur globale, e ekspertëve doganorë, luan një rol prijës në diskutimin, zhvillimin, promovimin, implementimin e sistemit modern të doganave dhe të procedurave moderne doganore. Ne kemi një administratë të aftë dhe kredibile doganore, ndër më të përgatiturat në këtë pjesë të Evropës dhe jo vetëm në regjion. Prandaj, unë konsideroj se kemi çka të ofrojmë dhe kemi çka të marrim nga ky Union Doganor”.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se duke qenë anëtare e kësaj organizate të rëndësishme, Kosova ka mundësi që edhe më tutje të rris efiqiencën dhe aktivitetin e administrimit të doganave, të arrijë objektivat në rritjen e të ardhurave që i vjel përmes doganave, të arrij objektivat në sigurinë nacionale, lehtësimin tregtar, mbrojtjen e komunitetit dhe në konsolidimin e statistikave tregtare. “Kjo është me rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit, për implementimin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për avancimin e raporteve me komunitetin ndërkombëtar siç janë raportet tregtare dhe ekonomike me të gjithë anëtarët e kësaj konvente që tash jemi 181. Konsideroj se nuk ka rast më të mirë se ky sot kur po shënojmë njëvjetorin e fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që të promovojmë edhe këtë sukses shumë të madh tonin”.

Kryeministri shprehu përkushtimin për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si një marrëveshje e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Kosova me këtë marrëveshje ka marrë për obligim që të përmbush kriteret e Kopenhagës.

Më tej, Mustafa ka folur për mungesën e liberalizimit për qytetarët e Kosovës. “Si kryeministër i vendit nuk shoh asnjë arsye normale dhe logjike që qytetarët tanë të vazhdojnë të jenë të izoluar, të vetmit në Evropë me regjim të vizave. Nuk ka asnjë kauzë politike dhe asnjë luftë politike që e arsyeton mbajtjen peng të qytetarëve tanë, t’u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë të tyre, e drejta që ata të jenë të barabartë me qytetarët e tjerë evropianë. Vazhdimi i sjelljes së tillë është verbëri dhe papërgjegjësi e madhe politike ndaj interesave të vendit dhe ndaj asaj çfarë ne do t’u ofrojmë qytetarëve tanë. Prandaj, shpresoj se ne do ta kapërcejmë këtë situatë dhe qytetarëve tanë do t’u mundësohet që ata të lëvizin lirshëm dhe po ashtu bizneseve tona do t’u mundësohet që ata të mos presin nga 5-6 muaj para dyerve të ambasadave të huaja për të realizuar të drejtat që atyre ua ka dhënë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”, u shpreh ai.

Kreu i Qeverisë tha se janë arritur rezultate shumë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe dhe ato shihen në rritjen vjetore të ekonomike prej 4% në dy vitet e fundi, me stabilitetin e plotë fiskal dhe makroekonomik, me stabilitetin financiar të vendit, me numrin e bizneseve që po shtohet çdo ditë, me rritje të punësimit dhe zvogëlimin e papunësisë, me krijimin e mekanizmave për përkrahje të bizneseve, me përgatitjet që po bëhen tani në ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re” që do të mundësojë stabilitet në furnizim të ekonomisë dhe qytetarëve me energji elektrike.

“Të gjitha këto konfirmojnë se ekonomia e Kosovës është në rrugë të mirë, është e gatshme të profilizohet si ekonomi konkurruese dhe të jetë e hapur për tregun evropian. Konfirmon po ashtu se Qeveria e Kosovës i ka orientimet e qarta zhvillimore, se ajo e di se çfarë do dhe si do të realizojë synimet e saj, se ajo e sheh zhvillimin ekonomik si proces i cili rezulton nga forcimi i mekanizmave të qëndrueshëm makroekonomik, për një ekonomi të hapur, të diversifikueshme, të adaptueshme ndaj kërkesave të tregut, konkurrente në të gjitha fushat, në atë të prodhimit, tregtisë, në shërbime dhe në sektorin financiar”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar bizneset e pranishme dhe institucionet për njëvjetorin e MSA-së, por edhe për punën që do ta bëjnë bashkërisht si anëtar të Unionit Botëror të Doganave, organizatë kjo e rëndësishme aq sa FMN-ja dhe BB-ja në pikëpamje të rëndësisë zhvillimore dhe të kontakteve dhe këmbimit të përvojave.

Hoti: Meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha pavarësisht sfidave që kanë pasur MF-ja dhe Dogana gjatë një viti për të siguruar që Kosova mund t’i plotësojë standardet e MSA-së, ka thënë se “si shtet i ri e meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane”.

“Sot bëhet një vit nga hyrja në fuqi e MSA-së pra është një vit i përpjekjeve të zyrtarëve tonë për të zbatuar standarde të larta. Për Ministrinë e Financave dhe Doganën ka qenë një vit sfidues për të siguruar që Kosova mund t’i plotësojë këto standarde dhe si shtet i ri e meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha ai.

“Ky përvjetor është vit i reflektimit për të pasur efektet e MSA-së dhe për t’i planifikuar hapat më tutje. E shohim MSA-në si përpjekje për një platformë më të mirë ekonomike dhe prosperitet. MSA-ja është zbatuar pa asnjë pengese përgjatë një viti, kemi avancuar kërkesat doganore konform MSA-së”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se po punojnë shumë me reformat e të bërit biznes.

“Para një viti kur kemi filluar zbatimin e MSA-së kemi folur për pritjet, ndërsa tani flasim për të arriturat. MSA-ja e ka trajtuar Kosovën drejt një qëndrueshmërie ekonomike përmes vendosjes së standardeve dhe cilësisë dhe përafrimit të politikave me Unionin Monetar dhe Ekonomik. Ne sot flasim për 20 për qind eksporte rritje në BE dhe 8 për qind importe”, ka thënë Hoti.

Të gjitha rezultatet janë shenjë e respektit të punës që po bëhet nga doganierët tonë.

Berisha: Dogana ka mision të gjerë të rritjes së të hyrave

Bahri Berisha, drejtor i përgjithshëm Doganës se Kosovës ka thënë se Dogana e Kosovës ishte ndër institucionet e para që filloi punën më 1999. Ai tha se gjatë këtyre 18 viteve Dogana është rritur shumë dhe ka mision të gjerë të të hyrave. Dogana vlerësohet si një nga institucionet me vlera të mëdha.

Ai ka thënë se Dogana e Kosovës deri më tani ka arritur ti krijojë të hyra buxhetit të shtetit më shumë se 10 miliardë euro.

“Sot po festojmë anëtarësimin tonë në këtë organizatë. Që nga viti 2008 Dogana ka synuar të jetë anëtare e kësaj organizate.

“Organizata Botërore ka në vete shumë konventa ku edhe Kosova do të bëhet pjesë e tyre. Ne shumë  shpejtë do të jemi pjesë e këtyre konventave. Ne konsiderojmë se edhe me rreziqet e reja aplikimi i kontrolleve do të jetë efektiv. Dogana zotohet se do të jetë partner kredibil me këtë organizatë. Konsiderojmë se pjesëmarrja do të jetë përgjegjësi e madhe”, ka thënë ai.

Duke folur për MSA-në ai thënë se Dogana konsiderohet fusha kyçe për këtë marrëveshje.

“Dogana e Kosovës është zhvilluar në bazë të standardeve të BE-së. Legjislacioni në fushën e Doganave ka progres mjaftë të dukshëm që nënvizohet edhe në raportin e progresit dhe raporte tjera. MSA-ja parasheh bashkëpunim me vendet e rajonit. Dogana vazhdon të forcoj kapacitetet për luftimin e ekonomisë jo formale. Dogana do ta ruaj dhe do ta promovojë boshtin e vlerave të larta që i ka në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës”, ka thënë ai.

Gërxhaliu: Ka ardhur koha që të ndahet shteti nga pushteti

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se sot po shënohen dy data të rëndësishme për Kosovën që kanë multidimensionalitet dhe “janë dy data që e vulosin funksionimin dhe ekzistimin e shtetit të Kosovës”.

“Ka ardhur koha kur duhet të ndahet shteti nga pushteti dhe pushteti të jetë në funksion të shtetit. Nuk e meriton populli dhe qytetarët në veçanti komuniteti i biznesit të jetë i izoluar… E kemi parë MSA-në si mundësi për të plasuar idetë, për të rritë shkëmbimin tregtar, por kjo marrëveshje i përngjanë një shtëpie të dekoruar por pa derë hyrëse dhe dalëse”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Këshillit të Investitorëve të Kosovës, Shpend Balija, ka thënë se sot po shënojmë të arriturat e Kosovës.

“Kosovës tani i duhet implementimi i plotë i MSA-së, tërheqja e investitorëve dhe besoj se përmes kësaj marrëveshje ne mund ta bëjmë këtë. Për ta bërë këtë duhet një bashkëpunim me komunitetin e biznesit”, ka thënë ai.

Të ngjashme