Muja: Në PDK ka disponim për zgjedhje të parakohshme

Prishtinë | 14 Shk 2017 | 08:22 | Nga

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ka kritikuar qeverinë e Kosovës lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe ka shtuar se në partinë e tij ka disponim për zgjedhje të parakohshme.

Muja në Interaktiv të KTV-së thotë se qeveria aktuale ka bërë shumë gabime që kur ka nisur qeverisjen dhe një nga gabimet ishte edhe qasja për Asociacionin dhe zgjedhjet do të bënin vlerësimin më të mirë.

Duke e vlerësuar qeverisjen LDK-PDK me notë jokaluese, Muja thotë se partia e tij do të fitonte prapëseprapë zgjedhjet e ardhshme.

“Në PDK ka disponim për zgjedhje të parakohshme. Duhet të mësohemi se nuk është mëkat i madh nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Në çdo rrethanë PDK do të dalë e para, por nuk mundet ta qeverisë vetë vendin pa ndonjë koalicion para apo paszgjedhor”, ka thënë ai.

“Qeveria, e cila ka bërë shumë gabime prej që kur ka filluar qeverisjen, edhe Asociacionin e mori në qasjen e gabuar kur u mundua në frymën jokushtetuese të kalojë nënshkrimin e Asociacionit”, ka thënë ai.

Muja ka shtuar se edhe serbët e Kosovës e dinë se Asociacioni është vetëm lojë e Serbisë “për të thënë se ju keni diçka në duar, por nuk është asgjë”. Muja ka deklaruar po ashtu se Asociacioni nuk guxon të marrë vendime ekzekutive.

Lidhur me trenin serb dhe deklaratat se qeveria dhe presidenti janë ata që ndalën atë, Muja ka thënë se kjo ishte fitore e Kosovës.

“Nuk ka nevojë të thirren në fitore, kanë obligime kushtetuese. Po e mbron ligjin dhe kushtetutën dhe nëse bëhet kjo – është fitore e Kosovës. Kanë intervenuar dhe nuk është lejuar treni si element provokativ”, ka thënë ai

Të ngjashme