Murtezaj: Kosovarët e dinë se s’do të pavarësoheshin pa ShBA-në

Prishtinë | 15 Tet 2016 | 20:15 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se “për secilin kosovar është e qartë se Kosova nuk do ishte e lirë dhe e pavarur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara”.

Këtë deklaratë zëvendësministri Murtezaj e ka bërë gjatë fjalimit në hapjen e punimeve të Forumit Global të organizuar nga Universiteti i Iowa-së, ku janë trajtuar çështje që kanë të bëjnë me kombin, shtetin, dhe ridefinimin global të konceptit të vetëvendosjes.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-së, Murtezaj e ka vlerësuar lartë përkrahjen që ky shtet i ka ofruar Kosovës në fusha të ndryshme si mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës në kuadër të programeve të partneritetit dhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme, në ngritjen e kapaciteteve në fushën e drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare.

Zëvendësministri Murtezaj ka mbajtur fjalim edhe në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë të Iowa-së, ku ka trajtuar marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

I shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Iowa, Xhavit Gashi, zëvendësministri Murtezaj ka zhvilluar takime të shumta, me qëllimin kryesor thellimin e bashkëpunimit dhe gjetjes së formave të përkrahjes në fushën e arsimit, ekonomisë, kulturës, bujqësisë dhe drejtësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme