Murtezajt në Londër i konfirmohet përkrahja e Britanisë për Kosovën

Prishtinë | 07 Kor 2016 | 17:13 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj po qëndron në vizitë zyrtare në Londër. I shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Lirim Greiçevci, Murtezaj ka takuar sot drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Britanike.

Në takim është biseduar për tema të rëndësisë së dyanshme si dhe për sfidat dhe përparimet e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Me këtë rast Murtezaj ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën e vazhdueshme që po i ofron Kosovës në të gjitha fushat.

Në të njëjtën kohë Murtezaj ka kërkuar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej pavarësisht zhvillimeve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Çfarëdo qofshin zhvillimet pas referendumit për Brexit, Kosova beson fuqishëm që rruga jonë do të jetë rrugë e bashkëpunimit të shkëlqyer. Pa ndihmën tuaj ne nuk do të kishim arritur këtu ku jemi”, ka theksuar Murtezaj.

Nga ana e saj Mcilwham, duke vlerësuar raportet e mira ndërmjet dy vendeve konfirmoi mbështetjen britanike për Kosovën edhe në të ardhmen.

Murtezaj do të ketë takime të tjera në Ministrinë e Jashtme dhe në Parlamentin Britanik, ku do të takojë Graham Styles, shef i ekipit për Kosovën në Ministrinë e Jashtme si dhe Martin Vickers, kryetar i Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin Britanik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme