Mustafa: Jemi shembull për ekonomi e luftimin e korrupsionit

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 17:50 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se koalicioni LDK-AKR, së bashku me partnerët e tjerë, brenda dy javësh do të paraqesin programin qeverisës.

Në një tubim me kandidatët për deputetë të këtij koalicioni, Mustafa tha se janë shembull i zhvillimit ekonomik, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe fushat e tjera, si arsimi dhe shëndetësia, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, LDK-AKR-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi iu jep mundësi të rinjve që të sjellin prosperitet për vendin.

Mustafa ka thënë se lista e koalicionit është e fitores, në të cilën ka profesionistë dhe kandidatë të dëshmuar në fushat që ata punojnë.

Ai ka thënë se ka pasur njerëz që kanë ardhur dhe kanë dashur t’i bashkohen vizionit të LDK-së, porse kjo ka qenë mundësia që të përfshihen në listë. “Nuk e kemi larguar askënd nga lista”.

Hoti: Ne jemi koalicion i natyrshëm

Kurse kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Avdullah Hoti, ka shprehur bindjen se kjo është lista më e mirë që mund t’iu ofrohet qytetarëve të Kosovës.

“Një koalicion, që ne natyrshëm, mendojmë njëjtë”, deklaroi Hoti, në tubimin që po mbahet Qendrën e Konferencave “Orion”.

“Agjenda shumë e fuqishme ekonomike ka bërë që jashtëzakonisht të pritem mirë kudo që kam vizita nëpër Kosovë:, shtoi Hoti.

“Programi ynë është thjesht zhvillim ekonomik, punësim, si dhe agjenda jonë për të ardhmen tonë evropiane. Do të flasim vetëm me argumente, me program, do të udhëheqim një fushatë që asnjëherë nuk është parë”.

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që më është dhënë rasti historik për t’i prirë një ekipi atdhetar, kompetent dhe përfaqësues në fushatën për t’i bindur qytetarët që më 11 qershor të përcaktohen për Koalicionin tonë, sikur në një referendum për të ardhmen e Kosovës sonë”.

Ai ka thënë se partnerëve të koalicionit iu janë bashkuar emra të shquar të shoqërisë kosovare, si kurrë më parë, për t’u dhënë qytetarëve të Kosovës qeverisjen që ata meritojnë.

Bahtiri: Kjo listë i ka duart e pastra

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, ka thënë se është kënaqësi që në listën e tyre nuk është askush i akuzuar për korrupsion.

“Kjo listë i ka duart e pastra dhe nuk ka skandale për korrupsion”, është shprehur kryetari i Mitrovicës.

Ai ka thënë se ka besim se qytetarët do t’i votojnë “njerëzit e pastër” më 11 qershor dhe se kryeministri i ardhshëm do të jetë Avdullah Hoti.

“Si kurrë më parë në historinë e Kosovës janë bashkuar akademikët dhe njerëzit e sprovuar në biznes për fitoren e sigurt më 11 qershor dhe për qeverisjen në të mirë të qytetarëve”.

Deda: I vetmi program që e fuqizon ekonominë dhe çrrënjos korrupsionin

Ilir Deda nga Alternativa ka thënë se ky është një koalicion i vendosmërisë për ta forcuar shtetin. “Kjo listë e madhe gjithëpërfshirëse e demokratike e Kosovës do të jetë lista që do t’i fitojë zgjedhjet e 11 qershorit. Jam shumë i kënaqur që shumë shpejt jemi dakorduar rreth një programi të matshëm të cilin nuk mund ta kontestojë askush”, ka thënë Deda.

Ai ka shtuar se programi i partnerëve të koalicionit është i vetmi program që mund ta fuqizojë vendin ekonomikisht, ta çrrënjos korrupsionin, krimin e organizuar dhe klientelizimin.

Sylejman Qerkezi nga Lëvizja për Drejtësi ka thënë se kandidatët e këtij koalicioni kanë të gjitha përgatitjet profesionale dhe njerëzore për ta ruajtur dhe zhvilluar shtetin.

Të ngjashme