Mustafa: Mjerë ajo Qeveri që mbetet peng i dy apo tre deputetëve dhe Listës Serbe

Prishtinë | 14 Kor 2017 | 14:41 | Nga

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bashkëqeverisë me Partinë Demokratike, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Isa Mustafa, kryeministër në largim i Kosovës dhe kryetar i LDK-së.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që LDK të përfshihet në Qeverinë e ardhshme, por pa PDK-në dhe duke e ruajtur pozitën udhëheqëse të Qeverisë së re.

“Në qoftë se e gjejmë hapësirën për të marrë pjesë në qeverisje, duke e ruajtur edhe subjektivitetin tonë, të themi edhe si koalicion edhe si LDK, hyjmë. Në qoftë se jo, ne e ndjemë veten shumë mirë në opozitë gjatë kësaj periudhe, që t’i ndihmojmë vendit përmes opozitës”.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht është në vijim e sipër procesi i konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. A e shihni mundësinë e një krize eventuale në rast të mosarritjes të një koalicioni paszgjedhor, që do të merrte përsipër qeverisjen e ardhshme të Kosovës?

Isa Mustafa: Mendoj se me një sjellje të papërgjegjshme, e kam thënë edhe amatoreske politike, vendin e kemi futur në një krizë të panevojshme. Krejtësisht të panevojshme. Unë derisa isha në Itali, e shikoja se në çfarë pozite e kemi sjell ne vetveten. Në vend që ne në Itali të komunikojmë me njerëz dhe t’i hapim perspektivë vetës, të bashkëpunimit në gjithë ato hapësira që po na i ofron edhe Bashkimi Evropian dhe të tjerët, ne tash duhet të kthehemi dhe të merremi me vetveten. Ndërkaq, pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor ecin rrugës së zhvillimit ekonomik, të integrimeve, të përmbushjes së kapitujve të ndryshëm që i ka hapur Bashkimi Evropian për integrimin e tyre. E ne duhet të kthehemi dhe të masin se a mund të sigurojmë një deputet, dy deputetë, tre deputetë, ta bëjmë Qeverinë apo s’mund ta sigurojmë dhe atë pa asnjë nevojë.

Në vend që të shkojmë në zgjedhje të rregullta, të kemi një proces të rregullt, ne tash kemi ardhur në një situatë që asnjë subjekt politik, qoftë që ka dalë i pari, i dyti ose i treti, vet nuk mund ta bëj Qeverinë. Qeverinë nuk mund ta bëj edhe me minoritetet, asnjë prej këtyre subjekteve. Është edhe problemi i mosbesimit të brendshëm që është krijuar në këtë proces, sepse në qoftë se unë nisem tani prej Lidhjes Demokratike të Kosovës ose prej koalicionit tonë me ARK-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi.

Neve si LDK na kanë treguar mosbesim në Kuvend. Kanë shpallur mosbesim ndaj neve në drejtimin e Qeverisë. Dhe unë do ta shtroja pyetjen – Pse ata tani kërkojnë besim nga ne që ne t’ju bashkëngjitmi të qeverisim, atyre të cilët organizuan mosbesimin ndaj një Qeverie që drejtonte LDK-ja?

Unë nuk e shoh asnjë lloj të përgjegjësisë tani të LDK-së për Qeverinë e ardhshme, sepse kësaj LDK-je dhe mua si kryetar të LDK-së, ata kanë thënë se ne ju shpallim mosbesim. Pra, mosbesim juve që keni siguruar rritjen më të madhe ekonomike të këtij vendi, që s’ka qenë kurrë 4 për qind, rritjen më të lartë në rajon, ju që keni përmbushur 74 kritereve prej 94 sa kemi përmbushur gjatë këtij mandati, juve që e nënshkruat Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, juve që e përfunduat qeverisjen pa asnjë rast korruptiv, nuk ju besojmë sepse dëshirojmë që ndryshe të qeveriset ky vend. E qysh ndryshe, unë nuk e kuptoj, do të thotë, pa rritje ekonomike, pa luftë kundër korrupsionit dhe në këtë rast unë do të kërkoja përgjegjësinë e atyre që e kanë marrë edhe iniciativën për të rrëzuar Qeverinë, por edhe që të shkohet në zgjedhje, që tani ata le ta bëjnë Qeverinë sepse atëherë u lidhën bashkë PDK-ja, Vetëvendosja, AAK-ja, Nisma, serbët së bashku me ta, pakicat pjesa dërmuese e tyre sepse dy subjekte kanë qenë me ne, por ata nuk kanë marrë pjesë në këtë rrëzim të Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: Parashihni krizë?

Isa Mustafa: Unë do të doja që Qeveria të themelohej nesër, pa marrë parasysh çfarë ka ndodhur sepse ky vend është në rrezik që të shkojë përpara pa Qeveri dhe pa institucione. Por, po e shoh që po shkon mjaft vështirë sepse mjerë ajo Qeveri e cila mbetet peng i dy, tre apo katër deputetëve ose peng i 10 deputetëve të Listës Serbe, të cilët nesër, kur të duan hyjnë në sallë dhe kur të duan e lëshojnë sallën dhe asnjë ligj nuk mund të procedohet në Kuvend, në qoftë se nuk marrin pjesë në votimin e atij ligji 61 deputetë.

Ky është problemi. Nuk është problemi më i marrjes së vendimeve të mëdha, por është problemi i marrjes së vendimit për themelimin e institucioneve dhe çfarë vendime mund të marrin ato institucione të cilat e kanë shumicën, ose s’e kanë tani ose mund ta kenë në margjinë. Pra, do të jetë një proces shumë i kontestueshëm edhe për legjislativin edhe ekzekutivin në të ardhmen.

Megjithatë, ne na nevojiten institucione dhe unë do të dëshiroja që këto institucione të bëhen nesër.

Radio Evropa e Lirë: Në këso rrethanash politike, në këso zhvillimesh politike ku e gjen veten LDK-ja, në koalicion me njërin prej subjekteve që ka fituar, kushtimisht thënë, të drejtën për të formuar Qeverinë, apo në opozitë?

Isa Mustafa: Unë tash dëshiroj të jem i hapur. Unë jam kritikuar mjaft shumë nga bashkëpartiakët e mi, sidomos nga disa, për koalicionin që e kam bërë në vitin 2014. Natyrisht se këtë koalicion nuk e kam bërë kokë më vete, e kam bërë me vendimin dhe lejen e Këshillit të Përgjithshëm, që është organi që me statut vendos për këtë. Atëherë kishim vendosur me një shumicë shumë të madhe. Kanë qenë vetëm pesë apo gjashtë anëtarë të Këshillit kundër dhe unë në asnjë rast nuk jam penduar për ata që e kemi bërë sepse ky vend duhet të qeveriset dhe ky vend nuk mund të qeveriset pa koalicione.

E tani themi se mos-hyrja jonë e tanishme në koalicion me PDK-në, nuk do të thotë që është punë inati ose punë e frikës sime ose e LDK-së nga ata që na kanë kritikuar. Mirëpo, është punë e dëshmisë se PDK-ja u tregua totalisht jokorrekte, nuk ju përmbajt kontratës sepse ai që e shkelë kontratën, ti s’mund të thuash se e shkeli njërën hajde tani ta lidhim një tjetër sepse ata e shkelën këtë kontratë të koalicionit që e patëm, dhe ne nuk kemi besim më që të bëjmë kontratë qeverisëse dhe nuk do ta bëjmë në asnjë rast.

Ne jemi në gjendje që të bisedojmë me AAK-në por kur ata të mos jenë në koalicion me PDK-në ose për Nismën. Edhe me Vetëvendosjen do të shohim se çfarë mund të përafrohet në pikëpamjet e programeve. Por, në fakt ne në asnjë rast nuk jemi të përcaktuar ose nuk e ndjejmë veten komod që të hyjmë në qeverisje sepse ne kemi qenë në qeverisje dhe nuk ju kemi pëlqyer këtyre që na lusin sot të qeverisim me ta, që ta qeverisim vendin.

Por, megjithatë ne jemi të vetëdijshëm dhe përgjegjës ndaj situatës në vend sepse megjithatë ky vend duhet ta ketë një Qeveri. Në qoftë se e gjejmë hapësirën për të marrë pjesë në qeverisje, duke e ruajtur edhe subjektivitetin tonë, të themi edhe si koalicion edhe si LDK, hyjmë. Në qoftë se jo, ne e ndjemë veten shumë mirë në opozitë gjatë kësaj periudhe, që t’i ndihmojmë vendit përmes opozitës.

Prandaj, jemi të hapur edhe për njëherë edhe për tjetrën por assesi nuk jemi të hapur që të bashkëqeverisim me një subjekt ku është edhe PDK-ja.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht koalicioni PAN brenda e ka PDK-në. Nëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma do të dilnin, a konsideroni se Presidenti ka të drejt, që pastaj në diskrecion të mandatonte një shumicë tjetër parlamentare?

Isa Mustafa: Unë mendoj se po edhe pse ai vendim i Gjykatës Kushtetuese lë shumë hapësira për interpretim. Kur është sjell ky vendim në vitin 2014 është sjell pak me sherr. Vendimi atëherë është sjell, në mënyrë që koalicionit tonë ose bllokut tonë që kishim atëherë, t’ia pamundësojë që ta bëj Qeverinë dhe ka pasur një bashkëpunim atëherë edhe të Gjykatës Kushtetuese edhe të faktorit të jashtëm që ta bëj atë bllokadë. Ne na vendoseshin pengesa, të cilat unë i dëgjoja përpara edhe prej ndërkombëtarëve dhe më pas i pash të shkruara edhe në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Tani vendimi ia ka dhënë Presidentit një lloj përgjegjësie, të cilin unë s’e di se si do ta lexojë Presidenti dhe si do ta interpretojnë këshilltarët e tij. Por, normale do të ishte, në qoftë se subjekti i parë që ka dalë me vota, tash jo fituesi sepse këtu fitues nuk ka sepse fitues është kur arrin ta bësh Qeverinë, por subjekti i parë, i cili nuk arrin që ta bëj shumicën, të sigurojë 61 vota për Qeverinë, atëherë mandati t’i ofrohet subjektit i cili ofron se mund t’i ketë 61 vota për ta bërë Qeverinë e re. Por, fjala diskrecion dhe e drejtë që Presidenti ta interpretojë këtë, pastaj lë hapësirë që ajo të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe të dëmtohet vendi.

Në këtë situatë, Maqedonia nuk do të kishte mundur ta bënte Qeverinë sepse maqedonët e bën Qeverinë duke ia dorëzuar mandatin atyre që argumentuan se i kanë votat për ta bërë Qeverinë dhe jo partisë e cila doli e para në zgjedhje.

Ne do të presim por është mirë që edhe Gjykata Kushtetuese të interpretojë dhe jo të thotë se vendimi është i qartë sepse vendimi është totalisht i paqartë, është shumë konfuz dhe i shkruar me sherr, që t’i ndihmojë edhe Presidentit, në mënyrë që edhe Presidenti nesër të mos futet në ndonjë kënd, të themi të shkeljes ose të interpretimit të shkeljes së Kushtetutës, dhe vendi të mos pengohet në themelimin e institucioneve të reja.

Radio Evropa e Lirë: Përfundimisht, LDK-ja do të ishte në Qeveri në krye të saj apo do të ishte vetëm pjesë e një Qeverie të ardhshme?

Isa Mustafa: Ne nuk dëshirojmë që të jemi pjesë e një Qeverie e cila do të realizonte programin i cili nuk është program që përfaqëson vlerat dhe idealet e LDK-së.

Ne dëshirojmë të jemi pjesë e një Qeverie ku do të mundësojmë që të zhvillohet ekonomia e tregut, ose thënë më saktësisht ekonomia sociale e tregut, që është pjesë e programeve të Partive Popullore Evropiane, që të luftojmë për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që të çojmë integrimet evropiane ashtu siç jemi zotuar, përfshi edhe dialogun me Serbinë sepse edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, dialogu me Serbinë është pjesë ose komponentë e realizimit të kësaj marrëveshjeje.

Ne pastaj e shohim si shumë të vështirë që një program i tillë të realizohet nëse LDK-ja nuk është timoniere e këtij programi. Por, unë e kam theksuar se ky është njëri prej kushteve tona. Ne do të insistojmë që edhe kjo të jetë pjesë e marrëveshjeve tona por në qoftë se ne nuk gjejmë hapësirë që të realizohet programi jonë dhe që ne të kemi ndikim në atë program, natyrisht se nuk kemi asnjë arsye që ne të bëhemi ndihmesë e realizimit të programeve tjera, të cilat nuk përfaqësojnë vlerat, idealet, strategjinë dhe orientimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të ngjashme