Ushtrinë do ta bëjmë me NATO-n, i kemi plotësuar 94 kritere për liberalizim

Rahovec | 18 Mar 2017 | 19:13 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se formimi i Ushtrisë së Kosovës do të bëhet vetëm në bashkëpunim me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mustafa i bëri komentet në një tubim partiak në Rahovec, me rastin e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në këtë qytet.

“Do të merren vendime legjitime për Ushtrinë e Kosovës, Por do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me NATO-n dhe Amerikën sepse jemi të interesuar që të kemi një ushtri, e cila do të jetë ushtri në suaza të NATO-s, e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara dhe nga qytetarët tanë. Dhe nuk dyshojmë që do ta arrijmë këtë objektiv”, tha ai.

Kreu i LDK-së foli edhe për çështjen e demarkacionit. Ai tha se Kosova i ka plotësuar 94 kritere nga 95 sa janë kërkuar për liberalizimin e vizave. “Ne vlerësojmë se tani është koha ta plotësojmë dhe atë kriter që qytetarët tanë të mos presin nga 6 muaj para ambasadave të shteteve të huaja për të vizituar të afërmit… Asnjë arsye nuk ka, asnjë deputet, që mos ta votojë demarkacionin me Malin e Zi”, tha Mustafa.

Mustafa: I kanë humbur 2,75 kilometra katrorë me Maqedoninë

“Nëse edhe një metër katror do t’i mungonte Kosovës nuk do të kërkoja që të ratifikohej demarkacioni. Por i kemi bërë katër sprova. Kemi vlerësimin e komisionit shtetëror për shënimin e kufirit; e kemi deklaratën e qartë të Departamentit Amerikan të Shtetit se kufiri është aty ku ShBA-ja e ka pranuar Kosovën; e kemi vërtetimin nga komisionin ndërkombëtar i caktuar nga ish-presidentja Jahjaga, i cili e ka vërtetuar të njëjtën gjë; dhe e kemi themeluar një komision i cili e ka matur territorin e Kosovës dhe ka dalë se Kosova i ka 10 mijë e 905,25 kilometra katrorë. Pra nuk kemi humbur asnjë metër katror nga shënimi i kufirit me Malin e Zi”.

Nga ana tjetër, Mustafa ka thënë se në kohën kur ai nuk ka qenë kryeministër, i kanë humbur 2,75 kilometra katrorë ku është bërë demarkimi me Maqedoninë.

“Kjo, jo me fajin tonë, por si marrëveshje që është arritur më përpara ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë dhe në Këshillin e Sigurimit është caktuar ashtu”.

Në vazhdim, Mustafa ka folur për suksese të tjera gjatë qeverisjes së tij. “Është hera e parë që është zgjidhur problemi i Trepçës; është zgjidhur edhe çështja e pronave që kanë qenë emër të Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë. Dhe i kemi regjistruar si prona tona, se ato janë prona tona dhe nuk mund të sillemi edhe më tutje kinse nuk e dijmë se ato janë prona tona. Dhe janë vendime legjitime”, ka theksuar ai.

Hoti: Në shtatë vitet e kaluara s’ka pasur investime sa dy vitet e fundit në Rahovec

Kryetari i Degës së LDK-së në Rahovec, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se historia e LDK-së është historia e bërjes së shtetit të Kosovës. “Dhe për këtë jemi të gjithë krenarë. Me aktivitete që kemi pasur fillimisht për lirinë e Kosovës dhe tani për forcimin e shtetit”.

Hoti ka thënë se për shtatë vitet e kaluara nuk ka pasur investime sa dy vitet e fundit në Rahovec.

“Rahoveci ka përfituar 7 milionë euro investime kapitale në dy vitet e fundit”, ka bërë të ditur Hoti, i cili menaxhon “kuletën” e Qeverisë.

Ai ka vazhduar duke numëruar projekte në infrastrukturë që do të bëhen, duke përmendur Palestrën e Sportit. “Ajo ka filluar qe 7-8 vite dhe ne do ta përfundojmë. Do t’ua mbyllim gojën atyre që qe 10 vjet nuk kanë folur e tash kinse po kritikojnë”.

Në fund janë shpërndarë libreza për anëtarë të rinj të Lidhjes Demokratike.

Të ngjashme