Mustafa: Për ShBA-në, çështja e demarkacionit është shumë e qartë

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 11:00 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit Isa Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për vizitën e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të mërkurën në Prishtinë.

Duke e cilësuar historike dhe tepër të rëndësishme për Kosovën, vizitën e zëvendës presidentit të ShBA-së, Joe Biden, kryeministri Mustafa tha se vetë vizita, në esencën e saj, tregon përkushtimin që ShBA kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë për Kosovën.

“Përgjegjësia jonë është e madhe, sepse karshi një partneri strategjik të Kosovës duhet të shtojmë rezultatet konkrete në shumë fusha. Duhet të kemi të gjithë parasysh se Kosova është një investim i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj karshi kësaj falënderimi ynë është ta bëjmë Kosovën një shtet të denjë për të qenë mik i ShBA-së”, tha Mustafa.

Po ashtu sipas tij, krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të luftohen në të gjitha poret e shoqërisë dhe duhet të vazhdohet me masa konkrete ndaj të gjithë punonjësve dhe bartësve të pozitave të larta në institucionet e Kosovës, të cilët bien në konflikt me ligjin, nuk e zbatojnë ligjin, ose atë e zbatojnë në mënyrë të gabuar.

“U vlerësua lartë dhe u veçua rezultati i Kosovës në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Çështje tjetër ishte, vazhdimi i dialogut me Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me këtë shtet dhe implementimi i marrëveshjeve ishte po ashtu, ndër çështjet të cilave iu dha rëndësi e veçantë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se duhet të implementohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.

“Ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konkluduar se Asociacioni është bërë obligim për Kosovën, sepse është ratifikuar me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë si marrëveshje ndërkombëtare.

“Qeveria, duke marrë parasysh se është caktuar ekipi menaxhues, do të punojë që Asociacioni të themelohet duke respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjen e parë të ratifikuar me Ligj”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa theksoi se ShBA-ja konsideron se çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi është shumë e qartë. Sipas tij, Departamenti i Shtetit ka dhënë vlerësim se kjo vijë është në harmoni me vijën në të cilën ShBA e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, që përputhet me territorin që Kosova ka pasur si Krahinë Autonome në ish-Jugosllavi.

“Zëvendës presidenti Biden ishte shumë i hapur dhe konkret lidhur me detyrimet tona për të proceduar me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”.

“Vërejtjet ishin se nuk kemi bërë sa duhet për ta njoftuar opinionin me të vërtetën e kësaj çështjeje, dhe se e vërteta është se insistimi i një grupi të vogël se Kosova po humb territor është krejtësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm. Se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave me kërkesë që paraprakisht të ndodh shënimi i kufirit me Malin e Zi, por po ashtu u tha se as Komisioni Evropian dhe as Bashkimi Evropian nuk do të marrë vendimin, të cilin duhet ta marrin institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai theksoi se pranuan porosi të qartë se ShBA është përkrahëse e madhe e Kosovës, por se kjo përkrahje do të jetë në varësi se si Kosova i përmbush këto detyrime ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj pjesës më të madhe të qytetarëve të saj, të cilët kërkojnë zhvillim ekonomik, kërkojnë rend dhe ligj, kërkojnë anëtarësim në institucionet e BE-së dhe lëvizje të lirë, sikurse edhe qytetarët e tjerë evropian.

Kryeministri Mustafa tha se Qeveria do të vazhdojë me ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me fqinjët. Do të vazhdojë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ashtu siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe Marrëveshja e Parë e ratifikuar me Ligj.

“Qeveria konsideron se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë me Marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, të cilin e ka administruar në kushtet mbi të cilat është shpallur pavarësia e saj. Vlerëson lartë përkushtimin e SHBA-së për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje dhe ekspertizën e Departamentit të Shtetit. Besimi i qytetarëve të Kosovës për ShBA-të është i madh dhe i palëkundur, prandaj Qeveria beson shumë se deputetët do të veprojnë në harmoni me strategjitë të cilat i kemi ndërtuar dhe po i ndërtojmë me ShBA-në. Çdo veprim tjetër nuk është në interes të Kosovës, të sovranitetit të saj dhe të integritetit territorial”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, adresimi i këtyre çështjeve do t’i hapte udhë përkrahjes edhe më të fuqishme të ShBA-së për proceset vitale të Kosovës siç është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

qeveria e kosoves

Të ngjashme