Mustafa përkujtoi 25-vjetorin e Referendumit

Prishtinë | 26 Sht 2016 | 18:53 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar 25-vjetorin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, të zhvilluar nga 26 deri më 30 shtator të vitit 1991

“Sot, përkujtojmë me krenari 25-vjetorin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, përmes të cilit, populli i Kosovës në mënyrë plebishitare konfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e tij të paepur për Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

“Përmes këtij referendumi, në të cilin, përkundër dhunës ekstreme morën pjesë shumica dërrmuese e qytetarëve, u dëshmua mbështetja absolute popullore për Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe për proceset tjera demokratike të zhvilluara në atë periudhë historike, nën lidershipin e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, thuhet në komunikatë.

Mustafa ka thënë se përkushtimi i pathyeshëm i popullit të Kosovës për shtet të pavarur, sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht, pas sakrificash dhe përpjekjesh të jashtëzakonshme, u jetësua përfundimisht nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008.

“Sot, Republika e Kosovës është shtet i njohur nga më shumë se gjysma e vendeve të botës, me subjektivitet ndërkombëtar dhe me perspektivë të avancuar euroatlantike. Përkundër vështirësive, sfidave e sfiduesve brenda dhe të jashtëm, populli i Kosovës është i përkushtuar për Republikën e Kosovës, për fuqizimin e miqësisë dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera demokratike, si dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit. Lavdi të përjetshme burrave dhe grave që punuan, vepruan dhe dhanë jetën për Republikën e Kosovës!, thuhet në komunikatën për media”, përfundon komunikata.

Të ngjashme