Mustafa: Shoqëria civile të përfshihet në të gjitha proceset e rëndësishme në vend

Prishtinë | 21 Nën 2016 | 14:47 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën vjetore të Platformës Civikos, ku u diskutua rreth bashkëpunimit të shoqërisë civile dhe Qeverisë.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë për të fuqizuar partneritetin me shoqërinë civile, si dhe për përfshirjen e shoqërisë civile në proceset e rëndësishme në vend.

Fillimisht, kryeministri Mustafa i ka falënderuar pjesëtarët e shoqërisë civile për këtë bashkëbisedim duke theksuar se partneriteti ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile ka bërë që të arrihet progres në implementimin e strategjisë për bashkëpunim me shoqërinë civile duke krijuar një koherencë dhe një bazë të mirë të bashkëpunimit, por edhe duke shfaqur disa fusha në të cilat arritjet duhej të ishin më të mëdha.

“Është vullnet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ne të vazhdojmë me partneritet dhe bashkëpunim, të gjejmë fushat të cilat nuk janë vetëm të interesit tonë të dyanshëm, të Qeverisë dhe shoqërisë civile, por janë të interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në këtë aspekt unë shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e plotë që të bashkëpunojmë, sepse roli specifik i shoqërisë civile në vendin tonë është shumë i madh, ashtu siç është edhe përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Lidhur me implementimin e Strategjisë, kryeministri Mustafa tha se ka të arritura në disa fusha, mirëpo ka pasur edhe ngecje tek disa institucione dhe agjencione qeveritare, duke shprehur besimin se edhe takimi i sotëm mund të ndikojë në eliminimin e boshllëqeve.

Duke iu referuar vlerësimit të Raportit të Progresit për relacionet ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile, kryeministri tha se ka vlerësime të mira, por ka edhe vakume të cilat kanë ekzistuar dhe të cilat duhet të kapërcehen.

“Ajo se çfarë konsideroj se është mirë të bëhet në të ardhmen, është që ne të gjejmë një gjuhë të përbashkët, një hapësirë të përbashkët dhe të punojmë në fushat të cilat janë në interes të vendit. Kemi çështjen e dialogut me Serbinë, që ne konsiderojmë se është mirë që të kemi një kyçje më të madhe të shoqërisë civile, sepse është një përgjegjësi e cila nuk mund të lidhet vetëm me partitë në pushtet ose Qeverinë ose institucionet qeveritare por ndërlidhet edhe me pozitën edhe me opozitën dhe veçmas me shoqërinë civile. Unë konsideroj se ne domosdoshmërisht duhet të krijojmë një hapësirë por edhe një vullnet që shoqëria civile të jetë e kyçur në këtë fushë.

Është pastaj Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e cila në vete ngërthen një hapësirë tepër të rëndësishme të shoqërisë civile. Ne tani sapo kemi hyrë në implementimin e saj por konsideroj se implementimi nuk mund të bëhet vetëm në mënyrë të njëanshme nga institucionet qeveritare, por është e domosdoshme që të kemi edhe zërin edhe vërejtjet edhe korrigjimet, edhe transparencës që do të sigurojmë, por edhe përgjegjësitë para qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejt por edhe përmes shoqërisë civile.

Është Agjenda e Reformave Evropiane, të cilën ne tani e kemi lansuar, që përmbledh tri fusha të rëndësishme jo vetëm për Qeverinë por për shoqërinë në tërësi: atë të sundimit të rendit dhe të ligjit, fushën e zhvillimit ekonomik dhe të konkurrueshmërisë dhe fushën e arsimit dhe të punësimit, që janë çështje që zgjojnë edhe interesimin edhe përgjegjësinë por edhe interesin tonë të përbashkët që do të punojmë bashkërisht.

Ne e kemi lansuar atë Agjendë, por në implementimin e saj shoh arsye shumë të madhe që ta bëjmë në një partneritet me ju, sepse mendoj që sukseset do të jenë pastaj shumë më të mëdha, qoftë në fushën e forcimit të shtetit ligjor, qoftë në fushën e zhvillimit ekonomik, punësimin, veçmas në reforma në arsim, si reforma të domosdoshme që ne duhet t’i bëjmë”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile edhe në reformën zgjedhore duke pas parasysh që involvimi përmbajtjesor i shoqërisë civile rrit cilësinë e reformave të cilat duhet të bëhen e të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e bazës për një platformë ligjore dhe juridike, e cila do të pamundësonte deformimet që shkaktojnë vullnetin e qytetarëve ndaj të zgjedhurve në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Prandaj, konsideroj se ne duhet tani ta kapim momentin, duhet të punojmë bashkërisht ta bëjmë këtë reformë, dhe duhet të sigurohemi që reforma të jetë gjithëpërfshirëse, të kemi edhe opozitën edhe opozitën por të kemi edhe shoqërinë civile si një segment tepër të rëndësishëm të kësaj pjese”, tha kryeministri.

Lidhur me aspektet specifike të bashkëpunimit dhe të qasjes së Qeverisë dhe shoqërisë civile kryeministri Mustafa tha se ka hapësirë të rëndësishme që përmes shoqërisë civile qytetarët të vijnë në shprehje dhe t’i realizojnë interesat e tyre ndërkaq që partitë politike të japin përgjigje se si këto interesa i agojnë në interesa politike dhe sa është ky agregim i drejtë.

“Për fushën e ekzekutivit po ashtu do të punonim bashkërisht në mënyrë që të shohim se si funksionojnë rregullat dhe sistemi, si i zbatojmë ligjet dhe a ka deformime në zbatimin e këtyre ligjeve, mirëpo të kemi natyrisht edhe masat e përbashkëta. Kemi një administratë e cila pastaj punon në suaza të një udhërrëfyesi të zbatimit të krejt kësaj pjese të legjislacionit dhe duhet të kemi kujdes se çfarë po ndodhë dhe çfarë duhet të bëjmë me reformat të cilat ne do t’i ndërmarrim në administratën publike dhe reformat tjera strukturore për të funksionuar më mirë.

Pastaj, në fushën e ekonomisë të shohim se si po strukturohen relacionet ekonomike dhe ato relacione a janë në harmoni me pritjet e qytetarëve për ndryshimet ekonomike dhe reformat ekonomike që po i bëjnë, dhe veçmas shumë vërejtje të cilat deri më tash janë dëgjuar sa i përket shtetit ligjor, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, procedimit të akteve në fushën e legjislacionit, zbatimit të ligjeve.

Unë do të isha i interesuar që të shohim se si të ndërtojmë kriteret objektive matëse dhe të mos mbesim vetëm në nivelin e perceptimeve dhe të diskursit politik në vlerësime, por të kemi kritere të qarta të cilat pastaj na ndihmojnë që edhe vërejtjet kur i japim edhe sugjerimet, edhe diskutimet kur i zhvillojmë, të jenë të argumentuara, por edhe t’i obligojmë institucionet e Republikës së Kosovës që ato t’i zbatojnë”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin për një partneritet të fuqishëm ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile.

Më pas, është zhvilluar debat ku pjesëtarët e shoqërisë civile kanë ngritur temat që lidhen me kapacitetet institucionale dhe përkrahjen buxhetore të organizatave të shoqërisë civile, për shumë aspekte të bashkëpunimit dhe zbatimit të Strategjisë, lidhur me kërkesat e personave me nevoja të veçanta, për rritjen e përgjegjësisë së sekretarëve të përgjithshëm dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë në kuadër të Këshillit për Zbatimin e Strategjisë për Bashkëpunim me Shoqërisë Civile, për çështjet që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe involvimin e shoqërisë civile në këtë proces, për të drejtat e konsumatorit e shumë çështje të tjera të rëndësishme në bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile.

mustafa-1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme