Mustafa: Shpendi s’bëri gjë si kryetar, AKR-ja na befasoi

Prishtinë | 22 Nën 2017 | 21:39 | Nga

“Më vjen keq që AKR-ja nuk na përkrahu dhe nuk ishte me ne në garë. Nuk e di cfarë ndodhi, sepse ne kishim premtime dhe zotime se ata ishin me ne… Mendoj që Shpend Ahmeti po të punonte edhe 25 vjet, nuk do të arrinte të bënte atë që kemi bërë ne për katër vjet”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se puna e bërë në katër vjetët e kaluara nga Shpend Ahmeti, as nuk mund të krahasohet me punët që ka bërë ai sa udhëhiqte me Prishtinën.

Në Zona e Debatit në Klan Kosova, ai ka deklaruar se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet nuk ka asnjë rezultat të dukshëm, ndërsa sa i përket koalicionit të munguar me Aleancën Kosova e Re, Mustafa është shprehur se kanë pasur dakordësim për një gjë të tillë, por që në fund nuk u respektua nga pala tjetër.

“Mua më vjen keq që AKR-ja nuk na përkrahu dhe nuk ishte me ne në garë. Nuk e di cfarë ndodhi, sepse ne kishim premtime dhe zotime se ata ishin me ne. Mbetej të formalizohej gjithcka, por tek ne më me peshë është fjala e dhënë, pasi marrëveshjet formale shpesh prishen, por sic duket as ato verbale nuk janë duke u respektuar më shumë”.

“Mendoj që Shpend Ahmeti po të punonte edhe 25 vjet, nuk do të arrinte të bënte atë që kemi bërë ne për katër vjet. Është bërë punë e madhe, megjithëse kemi pasur shumë kritika, vërejtje dhe sulme. Unë për një mandat katërvjecar i kam ndërtuar 25 shkolla, 60 terrene sportive, dhjetë salla të edukatës fizike për shkolla, dhjetë anekse shkollash, dy sheshe, dy kolektorë të mëdhenj, rrugët kryesore dhe Bulevardin Bill Klinton”.

“Nuk mund të them se nuk kemi bërë gabime gjatë punës sonë, apo se kemi bërë punë ideale. Por mund të them se është punuar shumë. Lëndët në prokurori janë cuar me tendencën që të vihet perde e zezë mbi atë që është punuar në Prishtinë”.

“Nuk kam qenë direkt i përfshirë në fushatën e Arban Abrashit, sepse kam pasur dëshirë që ai të jetë i lirë edhe në fushatë, edhe stafin ta zgjedhë vet. Natyrisht kam qenë i gatshëm që gjithmonë t’i ndihmoj me sqarime. Në katër vjetët e fundit në Prishtinë është punuar gabim, si rasti i trotuareve që janë thurur, e që më mirë do të ishte të ngritej niveli i tyre. Por edhe rrugët janë ndërtuar në prona private. Këta njerëz që kanë qeverisur në këto katër vjetët e fundit nuk meritojnë besimin e qytetarit. Nuk kanë ndërtuar asnjë rrugë të re të dukshme, asnjë shkollë të re, por ka pasur veç një propagandë për autobusët”.

“Kemi punuar shumë në mandatin tonë, aq sa pata thënë që me duar në xhepa e pres votën e qytetarëve. Qe keqpërdorur kjo thënie imja pastaj, sepse unë e kam pasur në këtë kuptim, por unë me duar në xhepa nuk i kam ndërtuar gjithë ato rrugë, shkolla, terrene sportive”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme