“Ndalimi i Haradinajt turp për drejtësinë franceze”

Prishtinë | 04 Mar 2017 | 14:59 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mijëra qytetarë ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, për të protestuar  pas vendimit për shtyrjen e lirimit të Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në Francë pas një fletarresti  ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, protestë kjo e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështetur edhe nga partitë e tjera opozitare. Në këtë protestë janë parë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile, e minatorë.

Masës së tubuar i është drejtuar edhe ambasadori William Wolker, i njohur si mik i shtetit të Kosovës. Ish-shefi i Misionit Verifikues Ndërkombëtar gjatë kohës së paraluftës dhe fillimit të luftës në Kosovë, tha se kishte menduar që drejtësia franceze ishte ndër më të mirat në botë, por kjo që ka ndodhur me Haradinajn, sipas tij, “është një turp”.

” Njeriu mbrapa meje është një mik i mirë i imi. Ka qenë mik i imi në të kaluarën është dhe do të jetë pavarësisht se çka do të ndodhë. Kam mbërri mbrëmë vonë dhe e kam kuptuar për këtë tubim. Po dua të them diçka prej zemre. Jam këtu që të shpreh solidaritetin tim për Ramushin dhe me të gjithë njerëzit nga Kosova. Kam menduar se sistemi i drejtësisë në Francë është më i miri në botë, por kjo që ka ndodhur me heroin e Kosovës për mendimin tim është turp”, ka thënë ai.

Ai ka thënë që duhet t’u jepet fund marrëzive që po bëhen nga Beogradi, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismas për Kosovën, Jakup Krasniqi gjatë fjalës së rastit në protestën për t’i dal në mbrojtje Ramush Haradinajt, ka thënë se jo vetëm qytetarët e Prishtinës, por gjithë bota po i del në përkrahje Haradinajt, për ta mbrojtur kështu nga gënjeshtrat e kurdisura të Beogradit.

“Sot nuk jemi këtu për ta mbrojtur Ramushin si ushtar, sepse ai këtë e ka mbrojtur para Gjykatës së Hagës. Sot nuk jemi për ta mbrojtur si kryetar i AAK-së, e as si kryeministër, por këtu qytetarët e Kosovës jo vetëm në Prishtinë, por kudo që ka shqiptarë jemi bërë bashkë për ta mbrojtur nga akuzat e gënjeshtra nga Beogradi që janë kurdisur për Ramushin”.

“Kërkojmë nga drejtësia e Francës që mos të mbështetet në akuzat e rrejshme që ka kurdisur jo vetëm sot politika në Beograd, në përgjithësi për popullin e në veçanti për Ramush Haradinajn”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti gjatë fjalës së rastit në protestën për t’i dal në mbrojtje Ramush Haradinajt, ka thënë para protestuesve se mbajtja e tij në Francë nuk është e rastësishme, kur javën e ardhshme pritet të vijë në Kuvend marrëveshja për demarkacionin, e cila nuk do të kalojë.

“Përgjigja e Ramush Haradinajt dhe të gjithë neve është: demarkacioni nuk kalon. Jemi para Epopesë së UÇK-së dhe populli ka sakrifikuar shumë që ne të jemi në liri, e këto ishin familja Jashari e Haradinaj. Kemi humbur djemt më të mirë. Këta djem edhe sot janë për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme. Ndoshta Franca e Evropa si njohin Vuçiqin, Nikoliqin e Daçiqin, por këta janë të njëjtë ata të vitit 1999 dhe me pas mundësi neve të gjithë na kishin ngritur akuza, por të njëjtën përgjigje siç ka thënë edhe Ramushi do ta kenë, siç e kanë pasur edhe në vitin 1999. Të gjithë ne, ju, jemi Ramush Haradinaj dhe deri sa të lirohet Ramushi as ne nuk jemi të lirë. Qëndroni të bashkuar ta mbrojmë vendin tonë”, ka thënë Ahmeti.

Kurse, vëllai i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, Daut Haradinaj,ka theksuar se bashkimi i qytetarëve në këtë protestë po dëshmon që ky vend ka zot.

“Nesër bëhen 19 vjet kur Adem Jashari e filloi betejën kundër serbëve. Mbetjet e Millosheviqit nuk u ndalën asnjëherë për ta cenuar lirinë. Por, ne jemi komb i madh dhe lirinë nuk ia mohojmë askujt. Është e pandershme nëse flasim këtu dhe s’përçojmë mesazh te qeveritarët. E kanë rastin me i thënë jo dialogut me Serbinë, e kanë rastin me i thënë jo demarkacionit, s’jemi kundër, por s’jemi të gatshëm me dhënë asnjë milimetër tokë. E kanë rastin historik t’ia bëjnë me dije Beogradit se lëvizjet e Beogradit janë të patolerueshme në Kosovë, e kanë rastin t’i thonë stop padrejtësive etnike, e kanë rastin që Kosovën ta bëjnë me ushtri dhe mos të sillen sikur nuk po shohin ajo që po ndodhë në rajon” ka thënë ai.

Protesta nuk përfundoi pa mesazhin e Ramush Haradinajt të cilin ky i fundit u ka dërguar qytetarëve të Kosovës, nga Franca përmes një video incizimi.

Ai ka përshëndetur përzemërsisht të gjithë ata të cilët kanë marrë pjesë në këtë protestë.

“Të dashur qytetarë të Prishtinës, të Kosovës, të dashur shqiptarë kudo që jeni, të dashur protestues, shkoi kohë e gjatë duke u përpjekur për të drejtën tonë. Ju jam mirënjohës nga zemra për krejt përkrahjen, nëse qëndrojmë në rrugën tonë, do ta fitojmë të drejtën tonë. Ju faleminderit shumë”, ka thënë Haradinaj në mesazhin e tij.

Një gjykatë në Francë ka shtyrë vendimin për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, deri më 6 prill si “një afat shtesë për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë”.

Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia nëpërmjet Interpolit.

Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Të ngjashme