Ndërkombëtarët përkrahin decertifikimin e 86 kandidatëve

Prishtinë | 13 Sht 2017 | 10:51 | Nga

Ambasada Amerikane në Kosovë, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Misioni i OSBE-së njëzëri e kanë përshëndetur vendimin e djeshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’i decertifikuar 86 kandidatët për kryetarë të komunave dhe asambleve komunale për zgjedhjet e 22 tetorit.

Në reagimin e vet, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se KQZ e ka mbrojtur ligjni me vendimin e djeshëm.

“Jemi të lumtur që shohim KQZ-në duke e mbrojtur ligjin dhe duke i larguar kandidatët e dënuar nga listat zgjedhore komunale”, tha Delawie.

Edhe Zyra e BE-së e përshëndeti këtë vendim duke e quajtur atë “hap përpara dhe rritje të integritetit” në politikën e Kosovës.

Ndërkohë edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, përmes një deklarate përshëndeti vendimin.

“Vendimi i KQZ-së i bindet ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha OSBE në profilin e vet në Twitter.

Para pak ditësh, vendet i Quintit i kanë bërë thirrje KQZ-së që të diskualifikojë ata kandidatë për të cilët gjykatat kanë certifikuar dënimet përfundimtare në tri vitet e kaluara, në përputhje me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.

Vendimi i KQZ-së u mor me shumicë votash, me vetëm një votë kundër dhe një abstenim.

Ndërkaq partia e kryeministrit Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pasur më së shumti kandidatë të decertifikuar.

Ndër emrat më të njohur që janë decertifikuar është kandidati i NISMA-s për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha i cili dje menjëherë ka reaguar kundër këtij vendimi duke paralajmëruar ankesë në PZAP dhe Gjykatë Kushtetuese kundër këtij vendimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme