Në Ditën Ndërkombëtare, vajzat kosovare diskutojnë rreth sfidave në shoqëri

Prishtinë | 11 Tet 2017 | 16:43 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vajzat nuk duhet të perceptohen vetëm si qenie të bukura, por edhe të forta.

Kështu u tha në një aktivitet të organizuar nga organizata UNICEF në Kosovë, në bashkëpunim me KosovaLive, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vajzave.

Në takim, disa vajza kanë diskutuar rreth sfidave në shoqëri, si i kanë tejkaluar sfidat dhe çfarë bëjnë sot këto vajza për bashkëmoshataret.

Zëvendësshefi i zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, tha se beson që investimi në vajza është investim në një shtet.

“Ajo çfarë mungon është shoqërimi i ndjenjës së besimit. Dhe kur ato e fitojnë atë ndjenjën e besimit, ato do të bëhen një anëtar produktiv i shoqërisë. Nuk mjafton t’i thoni vajzave që janë të bukura dhe të forta. Vajzat janë të forta dhe janë të qëndrueshme dhe kanë zë për të folur për vetën e tyre dhe për të transformuar shoqërinë”, tha Mugaju, raporton Ekonomia Online.

Më tej, Mugaju theksoi se Kosovalive është një platformë e cila iu jep vajzave guxim dhe ju jep hapësirë për të ngritur aspiratat dhe brengat e tyre dhe për të përvetësuar aftësitë.

“Ne në UNICEF besojmë që investimi në vajza është investimi në një komb një popull nga pikëpamja e UNICEF-it, nënkupton që t’iu japim atyre mundësitë që të përfitojnë mësimin dhe t’iu shmangen martesave të hershme”,  pohoi Mugaju.

Ndërsa, Andrew Russell, koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, inkurajoi vajzat që të bëjnë jetën që e duan.

“Ne jemi sot këtu me juve, por ne duam të bashkëpunojmë me ju edhe në të ardhmen, në mënyrë që të sjellim një agjendë zhvillimore në botë. Bëni atë që doni, dashuroni atë që e doni, sepse ju keni vetëm një jetë. Kështu që gëzojeni këtë ditë të sotme dhe çdo ditë të jetës për të qenë ajo vajza ajo grua që dëshironi të jeni”, tha Russell.

Në fund, katër vajza prezantuan të arriturat e tyre pas ballafaqimit me problemet që i hasën në shoqërinë kosovare.

Përvojën e saj me të pranishmit e ndau edhe Egzona Hoxhaj nga organizata “Handikos”.

Ajo tha se si vajzë me nevoja të veçanta ka hasur në shumë probleme e sidomos në arsim.

“Zëri im mund të jetë shumë i vogël, por mund të jetë i rëndësishëm për shumë persona të tjerë sidomos për vajzat me aftësi të kufizuara”, tha Hoxhaj.

Të ngjashme