Në PDK konfirmojnë se Veseli mund të sfidohet nga disa emra për Kryetar të Partisë

Prishtinë | 21 Pri 2018 | 14:25 | Nga

Partia e dytë në Kosovë, PDK-ja tashmë ka hyrë në procesin e zgjedhjeve të brendshme. Kryetari aktual, Kadri Veseli, nuk do te jetë i vetmi në garë. Epoka kur ai u zgjodh kryetar pa asnjë votë kundër duket se ka marrë fund.

Kadri Veseli do të përballet edhe me emra të tjerë, këtë e ka paralajmëruar nënkryetari i kësaj partie Rexhep Hoti. Nuk dihet nëse garës për Shef të PDK’së do t’i hyjë Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Memli Krasniqi apo ndonjë zyrtarë tjetër.

Nënkryetari i PDK-së njëherit zëvendësministër i Kulturës, Rexhep Hoti pret që në garë për të parin e partisë do të futen edhe emra tjerë.

“Natyrisht që ne presim që në kuadër të Partisë Demokratike të ketë edhe garues të tjerë jo vetëm kryetari aktual edhe kjo është njëra prej qëllimeve. Kryetari do ta hap garën para se ti kalojë mandati dhe ai do të futet sërish në garë”, tha Hoti për Gazetën Express, gjatë ditës së shtunë.

Hoti tha se është shumë herët për të përmendur emra por se Partia ka kandidatë të denjë për t’i hyrë kësaj gare.

“Shumë është herët për emra, por mund të ju them që në partinë Demokratikë të Kosovës ka një sërë njerëzish që kanë emra të njohur e të panjohur që mund të jenë kandidatë të denjë për konkurencë në garën për kryetar të partisë”, tha ai.

Hoti nuk ka dhënë detaje se kur do të mbahet konventa e partisë por sipas tij e njejta mund të zgjasë deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Ai thotë se këto parapërgatitje po shkojnë shkallë-shkallë.

“Ne kemi filluar zgjedhjet te forumi i rinisë edhe te ai i gruas po ashtu më pas do të kalojmë edhe te pjesa e partisë me strukturën e saj të gjerë , dmth zgjedhjet mund të përfundojnë deri ka pranvera. Pranvera e vitit të ardhshëm. Zgjedhjet kanë filluar tash por janë procedura më të komplikuara, konsolidimi i strukturës dhe në përgjithësi i partisë eshtë një proces që do të shkojë në mënyrë të kaskaduar shkallë-shkallë”, thotë Hoti.

Në vitin 2016 Kadri Veseli u zgjodh kryetar i PDK-së, më herët në krye të saj për shumë vite kishte qenë Hashim Thaçi. Thaçi ka deklaruar publikisht se nuk do të kandidojë më as për kryetar të PDK-së e as për kryeministër. Ndërsa, Veseli po synon edhe mandatin e dytë të partisë.

Kadri Veseli edhe pse kishte tentuar t’i futet garës për kryeministër kishte hequr dorë duke ia lënë vendin Ramush Haradinajt, gjatë formimit të koalicionit PAN në zgjedhjet parlamentare të qershorit të kaluar.

Sidoqoftë deri më tani zyratër të shumtë të PDK-së nuk kanë dashur të diskutojnë për çështjen e zgjedhjeve të brendshme. Deri më tani asnjëri nuk është deklaruar nëse do ta sfidojë Veselin, gjë që po ndodh nëpër partitë e tjera.

Veseli kishte marrë udhëheqjen e PDK-së nga Hashim Thaçi, i cili është President i Republikës. Gjatë kohës sa po udhëheq PDK’në, Veseli është përballur me dy humbje. E ka humbur primatin si partia e parë dhe ka humbur disa komuna të rëndësishme në zgjedhjet lokale. Për këto humbje, askush s’ia ka kërkuar dorëheqjen derisa ka shfaqur ambicie të jetë edhe më tutje në krye të PDK-së.

PDK, është në pushtet prej vitit 2007, kur për herë të parë kishte dalë partia e parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme