Në veri si në Serbi

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 08:50 | Nga

Flamuj të Serbisë gjithandej, vetura pa targa e shoferë pa leje dhe një kufi që mund të kalohet pa kontroll – kjo është përvoja e një rrugëtimi të shpejtë prej Kosovës drejt Serbisë, përmes veriut.

Derisa në Bruksel flitet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa në Prishtinë dialogu me Beogradin thuhet se do të sjellë integrimin e minoritetit serb në shtetin e pavarur të Kosovës. Pamja që e sheh kushdo që vendos të udhëtojë në rrugën magjistrale, e cila shpie në drejtimin Zveçan – Leposaviq – Jarinje është e një vendi që vazhdon të duket shumë më shumë pjesë e Serbisë sesa e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Veriu i Kosovës – i cili në diskursin politik të përditshmërisë përkufizon katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe – që nga fundi i luftës më 1999 nuk ka qenë nën kontroll nga autoritetet e Kosovës, as vendore as ndërkombëtare.

Pavarësimi i Kosovës, më 17 shkurt 2008, e ka forcuar ndarjen e kësaj pjese të vendit, ku shteti i Serbisë, i cili vazhdon të refuzojë njohjen e shtetësisë kosovare, ka vendosur kontrollin e plotë politik, shoqëror e ekonomik.

Që nga paslufta, gjithçka në veri të lumit Ibër – që tashmë është simboli i ndarjes etnike të Mitrovicës, qytetit më të madh të këtij rajoni – është vendosur dhe vendoset nga autoritetet në Beograd, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes të emëruarve të vet në Kosovë.

Përpjekjet e bëra gjatë viteve për të ndryshuar situatën në veri të Kosovës, për ta afruar këtë rajon më shumë me Prishtinën zyrtare, nuk duket se po japin rezultatet e dëshiruara. Dhe, një gjë e tillë duket të jetë më se e qartë me situatën e re të krijuar pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e statusit të ndërmarrjes “Trepça”, e cila asetet dhe punën e saj i ka të shtrira në dy anët e ndarjes etnike në veri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme