Nisma: Kushte e edukim për rininë, që të jetë e konkurrueshme me Evropën

Prishtinë | 07 Tet 2017 | 22:45 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma për Kosovën ka mbajtur një takim me të rinj të Prishtinës, në kuadër të aktiviteteve elektorale, për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Kandidati i Nismës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shyqiri Bytyqi, theksoi nevojën e krijimit të kushteve dhe hapësirës për rininë, e cila vazhdimisht cilësohet si ardhmëria e vendit.

“E kemi obligim të gjithë që të krijojmë kushte për edukim që ta bëjmë një rini të konkurrueshme me Evropën”, theksoi ministri aktual i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), raporton Ekonomia Online.

“Ne e kemi një rini të mrekullueshme. Kudo që ka marrë pjesë rinia jonë kanë qenë të suksesshëm, mirëpo në mënyrë individuale, sepse jo të gjithë i kanë pasur mundësitë”, theksoi Bytyqi.

Në vazhdim. Bytyqi ka premtuar se nëse e merre udhëheqjen e Komunës do të krijojë lehtësira. “Çdo i ri student do të pajiset me kartelën të cilat shërbimet publike do t’i marrin me çmime 30% më lirë sesa që janë me çmime të rregullta”, u zotua ai.

Ai, madje, beson se do të mund të arrihen marrëveshje me biznese private që studentëve t’iu mundësohet blerja e produkteve të ndryshme, në veçanti e librave, me një çmim më të lirë.

E lideri i Nismës, Fatmir Limaj, i ka porositur të rinjtë që të edukohen, para se të merren me “politikën e madhe”.

“Mendoj se djemtë dhe vajzat e reja, para se të merren me politikën e madhe, duhet të edukohen… Është edukimi politik, edukimi njerëzor, komunikimi, jeta sociale, aftësia për ta dëgjuar tjetrin, me mësu me pranu kritikën si mësim, si mundësi, për t’u korrigjuar”, u shpreh Limaj.

“Koncepti ynë politik që djemtë e vajzat e reja të mësojnë diçka që nuk mësojnë në shkollë është ajo që ne po provojmë të bëjmë”, shtoi ai.

Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, po ashtu, theksoi nevojën e arsimimit cilësor për të rinjtë. Sipas tij, Nisma do t’iu krijojë kushte më të mira ndërmarrësve të rinj që biznesin e tyre ta realizojnë, edhe pa e pasur dikë të njofshëm në pushtet.

Përfaqësuesi i të Rinjve të Nismës, Endrit Zabërxha, përpara të pranishmëve prezantoi programin e të rinjve të këtij subjekti politik.

Ai tha se si organizatë do do të bashkëpunojnë me institucionet në të mirë të shoqërisë.

Të ngjashme