NISMA mban Konventën parazgjedhore (Video)

Prishtinë | 20 Maj 2017 | 19:40 | Nga

Në prani të mijëra simpatizantëve, Nisma për Kosovën ka mbajtur Konventën parazgjedhore, nga e cila, liderët e kësaj partie u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin në rrugën e tyre për krijimin e një qeverie, e cila do ta ndryshojë jetën e qytetarëve, ndërsa akuzuan qeverisjen e deritanishme, e cila sipas tyre ka bërë dëme të mëdha për vendin.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se Nisma për Kosovën nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë në mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të shtetit. Ai kërkoi votën e qytetarëve për kandidatët për deputetë të Nismës, pasi sipas tij, ata kanë përvojën nga legjislatura që përfundoi mandatin para rreth një muaji, pasi mbrojtën interesin e qytetarit dhe vendit.
Kreu Nismës para mijëra të pranishmëve,shtoi se para katër viteve kanë thanë se kryeministri do të jetë nga opozita dhe tani kjo po bëhet realitet, pasi Ramush Haradinaj është kandidat nga koalicioni i gjerë. Limaj premtoi se do të punojnë për ç’kapjen e shtetit dhe keqqeverisjen e deritanishme.

“Ne kemi thënë se ndryshimi është me kryeministrin e opozitës dhe së opozita do ta ketë kryeministrin, dhe sot është fakt i kryer kryemninistër i ardhshëm do të jetë njëri nga drejtuesit e opozitës, RamushHaradinaj. Ne para katër viteve ia kemi dhënë besimin Haradinajt për kryeministër, ne vazhdojmë t’ia japim besimin Haradinajt për kryeministër të Kosovës, ne kemi dhënë pëlqimin dhe rreshtohemi në drejtim të kryeministrit për ndryshim me besim. Ne do të punojmë në ç’kapjen e shtetit, ne besojmë që kryeministri do të punojë pa ndal në ç’kapjen e këtij shteti dhe keqqeverisjen e deritanishme”, tha Limaj.

Limaj shtoi se nuk do të ketë më tri qeveri, as tre kryeministra, por do të ketë një qeveri të fuqishme që do t’ia kthejë dinjitetin shtetit të Kosovës.

Por, pati edhe njëmesazh për kandidatin për kryeministër të Kosovës, RamushHaradinaj, për besimin e dhënë për ta udhëhequr Kosovën.

“Ne besojmë, sepse ne besojmë që njerëzve duhet t’iu jepet mundësia dhe ata pastaj të shohim si e shfrytëzojmë mundësinë. Dhe ne Nisma për Kosovën i drejtohemi kandidatit për kryeministër, ne besojmë në ju, prandaj po ta japim mundësinë, por mos e mashtro besimin tonë. Sepse ne, kemi dëshmuar se ne nuk bëjmë kompromis me besimin tonë për askënd dhe për asgjë, prandaj ne do t’ia japim mundësinë, do të jemi afër do të rreshtohemi me ndryshimin tonë”, theksoi Limaj.

Kreu Nisma për Kosovën foli edhe për marrëveshjet për demarkacionin dhe Asociacionin, për të cilat tha se nuk do të ndryshojnë në qëndrimet e mëhershme, do të jenë kundër faljes së tokës dhe kundër Zajednicës.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë milimetër e territorit të Kosovës të cenohet nga askush, edhe demarkacioni do të bëhet ashtu siç e ka thënë dhe siçështë në kufirin ku është Kosova, asnjë ndryshim nuk do të ketë nga ndryshimet që kemi pasur. Ne do të jemi dhe jemi për dialog me të gjithë fqinjët, do të dialogojmë në të mirë të paqes, ama ne duam një dialog ndryshe, jo një dialog që na sjell Zajednicën në Kosovë. Nuk do të ketë Zajednicë në Kosovë ashtu siç kanë menduar”, theksoi ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi meritat për ndërprerjen e kësaj qeverisje ia atribuoi Nismës për Kosovën, e cila nisi mocionin për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

Krasniqi shtoi se Nisma do të vihet në shërbim të një qeverisje që do të ndryshojë rrënjësisht qeverisjen nga ajo që ishte në tri vitet e kaluara. Sipas tij, shtetin e së drejtës duhet ta ndjejnë e ta shohin qytetarët e Kosovës kudo që jetojnë.

“Qytetarët e këtij vendi duhet t’i mbrojë ligji nga skllavërimi dhe shfrytëzimi i egër, që atyre ua bëjnë oligarkët financiarë. Qytetarët e Kosovës, punëtorët e fshatarët, gratë e burrat, të rejat e të rinjtë e Kosovës, duhet ta dinë se Nisma, drejtuesit e saj ishin në shërbim të tyre edhe atëherë kur nuk kishte parti e liri, edhe atëherë kur ishin në burgje e në luftë, do të jemi në shërbim tëtyre edhe sot e nesër kur kemi liri e pavarësi, kur kemi shtet e të drejtën për sovranitet. Më 12 qershor 2017 do të fillojë numërimi i orientimit të ri për një qeverisje të re, një qeverisje që garanton vendimmarrje sovrane në shtetin e së drejtës. Ne të Nismës kurrë nuk do të pranojmë marrëveshje nënshtruese, me të cilat mund të humbin territor dhe sovranitet”, tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoi që në rrethana politike kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shteti e zhvillimi ekonomik, kërkohet bashkimi i tyre përtej programit ideologjike a politike, që të jenë aty për kombin e shtetin.

Sekretari i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi duke folur për legjislaturën e shkuar, tha se nuk pajtohet se ka qenë më e dobëta nga të gjitha që ka pasur Kosova prej pasluftës.

“Është bërë zakon të thuhet se kjo legjislaturë ka qenë legjislatura më e dobët në histori të Kuvendit të Kosovës. Me lejoni të dal kundër këtij konstatimi, asnjë legjislaturë sikur kjo nuk ka qenë e përballur me tendencën për të rrezikuar sovranitetin dhe territorin e vendit me dy marrëveshjet, atë për Asociacionit dhe atë për demarkacionin. Kjo legjislaturëështë heroike, sepse përkundër kërcënimeve e shantazheve, joshjeve të mëdha ndaj deputetëve, nuk kanë pranuar që interesin e tyre ta qesin mbi interesin e vendit. Por, pa deputetët e Nismës as kjo nuk do të ishte e mundur, kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm”, u shpreh Sherifi.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën në legjislaturën e pestë, Valdete Bajrami tha se me liderin e Nismës Fatmir Limaj në qeveri, do t’i sjellin ndryshimet e shumëpritura për qytetarët.

“Rrugëtimin tonë e filluam tri vite me parë, tri vite plotë aktivitet, punë, angazhim, përkushtim, rezistencë. Edhe sot nga këtu nuk mundem pa e përmend Nismën e Gruas dhe Rinisë, ku pa këto dy shtylla rrugëtimi ynë do të ishte më i vështirë. Puna e secilit prej jush do t’ia mundësojë qytetarëve një qeveri e cila do të jetë në shërbim të tyre, sepse me kryetarin Limaj në Qeveri do t’i sjellim Kosovës dhe qytetarëve të saj ndryshimet e shumëpritura, si për rininë, gruan, pensionistin, studentin, me një fjalë gjithë qytetarëve, sepse ne do të qeverisim me qytetarët dhe për qytetarët”, u shpreh Bajrami.

Nisma për Kosovën në zgjedhjet e 11 qershorit do t’i ketë 15 kandidatë për deputetë të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme