Nitaj: Haradinaj i ka numrat, po punon për mbështetje më të gjerë

Prishtinë | 20 Kor 2017 | 15:17 | Nga

Zyrtarë të koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN), si fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit vazhdojnë të deklarojnë se i kanë numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë, pavarësisht se zyrtarë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa janë shprehur se deputetë të tyre nuk do të votojnë Haradinajn për kryeministër.

PAN në zgjedhjet e 11 qershorit ka fituar 39 ulëse në Kuvend dhe përveç votave të minoriteteve u duhen së paku edhe 2 vota të deputetëve të tjerë për formimin e Qeverisë.

Ndërsa, në koalicionin PAN shprehen të bindur se i kanë votat e domosdoshme për ta formuar Qeverinë, por thonë se po punohet për një mbështetje me bazë më të gjerë.

Muharrem Nitaj anëtarë i kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, ka thënë të enjten për lajmi.net se i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj është duke punuar për të siguruar një mbështetje me bazë më të gjerë, se sa numri i nevojshëm për ta formuar Qeverinë.

“Haradinaj i nominuar për kryeministër është duke bërë përpjekje me sigurua një mbështetje me bazë më të gjerë për Qeverinë e tij, nuk është në përpjekje për të siguruar numrat e domosdoshëm po me siguri një bazë përfaqësuese më të gjerë”, ka thënë Nitaj për lajmi.net.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka zhvilluar biseda edhe më përfaqësues të partive të minoriteteve të përfaqësuara në Kuvend. Për këtë Nitaj ka thënë se sapo te përfundoj cikli i bisedave, do te bëhen publike rezultatet.

Zyrtarë të koalicionit PAN janë vazhdimisht janë deklaruar se kanë siguruar votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja. Është thënë se deputetë nga koalicioni LAA, përkatësisht nga AKR do ta votojnë Haradinajn për kryeministër.

Por një gjë e tillë është mohuar vazhdimisht nga zyrtarë të AKR-së. Edhe në takimin që është zhvilluar të enjten paradite mes zyrtarëve të koalicionit LAA, kreu i AKR-së ka mohuar ndonjë bashkim me koalicionin PDK-AAK-Nisma.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare janë certifikuar nga KQZ më 8 korrik, ndërsa që ende nuk është caktuar nga presidenti Hashim Thaçi data e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit. I pari vendit ka thirrur për një takim konsultativ ditën e hënë partitë politike për të caktuar datën se seancës konstituive të Kuvendit.

Të ngjashme