Nuk përfundon ratifikimi i anëtarëve të Këshillit të Cilësisë, s’ka kuorum

Prishtinë | 16 Pri 2018 | 16:57 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për shkak të mungesës së kuorumit nuk ka arritur të përfundojë ratifikimi i anëtarëve të Këshillit të Cilësisë.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi paraprakisht para deputetëve ka prezantuar kërkesën për ratifikim të anëtarëve të Këshillit të Cilësisë të Agjensionit të Akreditimit.

Bytyqi tha se rëndësia e ratifikimit të kësaj liste është qenësore për funksionalizimin e agjensionit.

“Më lejoni të ju informoj për rrjedhën e ngjarjes. Menjëherë pas rekomandimeve të Kuvendit që dha për Këshillin e Cilësisë, unë kam thirrë në takim të gjithë akterët për hartimin e një udhëzimi administrativ. Pas kësaj kanë aplikuar gjithsej 35 kandidatë dhe komisioni ka hartuar listën e ngushtë prej 16 anëtarëve. Më pas, në listën e ngushtë janë emëruar 6 anëtarë të Këshillit të Cilësisë”.

Sipas Bytyqit, 6 profesionistët që janë emëruar, 50 përqind janë femra dhe 50 përqind janë meshkuj, raporton Ekonomia Online.

Bytyqi kërkoi mbështetjen e deputetëve për listën e anëtarëve të Këshillit të Cilësisë.

Ismajl Kurteshi nga Komisioni për Arsim propozoi emrat e anëtarëve të Këshillit të Cilësisë.

“Komisioni i propozon Kuvendit që t’i ratifikojë anëtarët e Këshillit të Cilësisë si vijon: Vjollca Krasniqi, Arta Jakupi, Rozafa Koliqi- Lila, Magdalena Ziola, Gazmend Luboteni, Herbert Amarto, Xhavit Dexha, Jefry Buter dhe Dukagjin Zeka”.

Armend Zemaj nga LDK-ja tha se nuk do të marrin pjesë në votim derisa Kuvendi të votojë për propozimin e LDK-së për funksionalizimin e komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq, raporton EO.

Ndërsa Arbërie Nagavci nga LVV-ja tha se do t’i bashkohen mosvotimit të LDK-së për pikat e tjera, mirëpo jo në këtë pikë pasi, sipas saj, ratifikimi i listës me emrat e anëtarëve të Këshillit të Cilësisë është me urgjencë.

“Në këtë pjesë Lëvizja Vetëvendosje e sheh të rëndësishme që të mos e pengojë për shkak se me urgjencë duhet të inicohen ndryshimet ligjore. Duke pasë parasysh se është situatë emergjente, ne këtë pikë e përkrahim, ndërsa pikat e tjera nuk do të marrim pjesë në votim, për shkak të bojkotit që i është bërë pikës paraprake”.

Se paraqitja e këtij propozimi për votim është duke u bërë për t’i mbuluar dëmet nga shkarkimi i agjensionit paraprak, e tha deputeti nga radhët e GDP-së, Dardan Sejdiu.

Ai tha se votimi në Kuvend për këtë listë është duke u bërë për të mirë të Ksoovës e jo për cilësinë e listës së propozuar.

“Çdo votim këtu i kësaj liste është votim për të mos cenuar pjesëmarrjen e Kosovës, e jo për cilësinë e listës. Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, ne si deputetë të Grupit të Pavarur do të japim votën meritore që e ka kjo listë”.

Në emër të GP-së së NISMA-së, Bilall Sherifi kritikoi Lidhjen Demokratike për bojkotimin që po i bëjnë kësaj çështjeje.

Sherifi tha gjithashtu se është i padrejtë paragjykimi ndaj anëtarëve të Këshillit të Cilësisë.

“Ata mund të bëjnë çfarë të duan, ama të fillosh një debat, të ngritësh një çështje të re, seanca sipas orientimit skenarit të tyre, e tash në fund të mos votojnë për produktin që ata vetë e kanë inicuar, vetëm e vetëm se një parti, në këtë rast PDK, nuk e votoi inicimin e tyre është e padrejtë edhe ndaj ministrit, i cili ka qenë shumë bashkëpunues.

Edhe ata kanë nga ata që kanë kandiduar është bërë përzgjedhja jo nga ministri, por nga një ekip më i gjerë se ministri le t’i lëjmë njëherë të punojnë e pastaj t’i gjykojmë në bazë të punës që kanë bërë”.

Memli Krasniqi, PDK kundërshtoi deputetin Bilall Sherifin, i cili tha se PDK-ja nuk e ka votuar mocionin e LDK-së, raporton EO.

“Ju kisha ftu të gjithëve kur jeni të informuar e jo të painformuar votimi që nuk ka kaluar ka marrë 58 vota, prej të cilëve 21 kanë qenë të koalicionit qeverisës, shumica prej tyre  kanë qenë të PDK-së.

Nëse prej 27 deputetëve vetëm 12 kanë votu, si me kërku përgjegjësi nga të tjerët. Mos manipuloni dhe të jeni të kujdesshëm me fjalë publike”.

Replikë në këtë përgjigje kishte edhe Sherifi. Ai tha se si deputetë nuk kanë kompetencë që ta sigurojnë listën e atyre që kanë votuar pro ose kundër, sikurse paska Memli Krasniqi.

Të ngjashme