O’Connell: Kosova duhet të çlirohet nga njerëzit joprofesionistë

Prishtinë | 11 Tet 2017 | 14:13 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës dhe Ambasada Britanike kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi lidhur me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se me anë të këtij memorandumi do të korrigjohet edhe tendenca e politizimit dhe rekrutimit.

“Qeveria e Kosovës ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me mbretërinë e bashkuar e që për qëllim ka një proces ligjor dhe kredibil të rekrutimit të të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi dhe agjencitë që janë pjesë e qeverisë që procesi i rekrutimit të personave të jetë kredibil”, ka thënë Haradinaj.

Një rol të rëndësishëm do ta kenë edhe ekspertët që vijnë nga Anglia.

“Do të korrigjohet edhe tendenca që vazhdon e politizimit të rekrutimit. Shpreh gatishmërinë që të respektojmë obligimet qe dalin nga ky memorandum”, theksoi Haradinaj.

Ruairi O’Connell tha se korrupsioni dhe nepotizmi janë dukuri serioze në Kosovë me të cilat përparon vendi.

“Korrupsioni dhe nepotizmi mbeten dukuri serioze për Kosovën. Me gjëra të tilla dhe njerëz të tillë nuk përparon Kosova, pra duhet të çlirohemi nga kjo. Që Kosova të ecë përpara ju keni nevojë për persona të pavarur. Jemi të sigurt se qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur kur persona rekrutohen me 15 minuta intervistë”, tha ambasadori britanik.

“Mua më vjen shumë mirë që kryeministri dhe partnerët e koalicionit kanë vendosur të vazhdojnë këtë projekt, theksoi ai.

“Emërimi final i personave nëpër pozita i takon Kosovës. Suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i qeverisë së Kosovës gjithashtu edhe dështimi… Qeveria mund të procedojë menjëherë edhe një çështje tjetër”, pohoi O’Connell.

Më tej ai përmendi numrin e vogël të grave që aplikojnë në pozita të larta.

“Shpresoj dhe pres që gratë e kualifikuara të aplikojnë dhe të fitojnë pozita të larta. Ky projekt është vetëm pikënisja që po tentojmë që të fillojmë ndryshimin e kulturës së nepotizmit.

Qeveria britanike ka kënaqësinë të mbështes Kosovën, mundësinë që të luftojë dhe të parandalojë kulturën e klientelizmin”, tha ambasadori.

Ky memorandum është nënshkruar për një vit, me mundësi vazhdimi.

Të ngjashme