Opozita i shkruan Mogherinit rreth çështjes së kufijve

Prishtinë | 12 Sht 2018 | 18:43 | Nga

Partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës, LDK, VV, PSD dhe Alternativa, sot kanë dërguar letër te përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Në këtë letër është sqaruar qëndrimi i tyre lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. “Gjithashtu aty është shprehur pakënaqësia e opozitës, të cilët përfaqësojnë 60 për qind të qytetarëve të Kosovës, lidhur me idenë që po diskutohet për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve. Ide këto të cilat nuk do të kenë mbështetje dhe çfarëdo marrëveshje e cila derivon nga ide të tilla nuk do të përkrahet”, ka shkruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në Facebook.

Në letër gjithashtu kërkohet që faza finale e dialogut me Serbinë të bazohet në parime të qarta si dhe në një kornizë të qartë, duke mos lënë anash subjektivitetin shtetëror të Kosovës i cili është përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës.

“Fillimi i një procesi të ri të dialogut pa përgatitjet e nevojshme, siç po tenton qeveria aktuale, do të dështojë. Është përgjegjësi e plotë e Kuvendit të Kosovës që të aprovojë platformën për dialog me një shumicë prej 2/3 dhe vetëm në këtë formë mund të sigurohet legjitimitet i këtij procesi. Çdo formë tjetër e zhvillimit të dialogut është e destinuar të dështojë. Është në interesin e qytetarëve të Kosovës që të arrihet një konsensus i tillë brenda Kuvendit të Kosovës. Qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces dhe se një legjitimim i ri i Kuvendit të Kosovës duhet të ndodh sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar më tej Hoti.

Sipas postimit të tij, opozita beson se BE-ja dhe ShBA-ja duhet të jenë të involvuara plotësisht në këtë proces dhe kërkojnë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë të nënkuptojë normalizim të plotë të marrëdhënieve mes shteteve.

“Normalizimi i plotë mund të arrihet vetëm me njohje reciproke. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet t’i mundësojë Kosovës anëtarësim të menjëhershëm në organizatat ndërkombëtare, para se gjithash në OKB, si dhe t’i hapë rrugë anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka thënë Hoti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme