Opozita, Thaçit: Pse nuk jep dorëheqje

Prishtinë | 10 Pri 2017 | 15:10 | Nga

Për AAK-në dhe Vetëvendosjen tërheqja e ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nuk është diçka e papritur. Ata deklarojnë për Gazetën Metro se nisma për krijimin e ushtrisë ka qenë lojë politike e Qeverisë dhe e Presidentit.

Nisma për krijmin e ushtrisë përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në ka qenë lojë politike e Qeverisë dhe e Presidentit. Kështu deklaroi për gazetametro.net, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

“Është dëm që po tërhiqet ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të ndërruar mandatin dhe misionin dhe konsiderojmë se është një lojë që e kanë luajtur Qeveria bashkë me Presidentin, e që e ka dëmtuar interesin e Kosovës sepse Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet të ndërrojnë misionin tyre dhe të kalojnë në Ushtri të Kosovës, ” tha Isufi.

Sa i përket çështjes së dorëheqjes së presidentit Thaçi në rast se nuk bëhet ushtria siç ai premtoi, sipas Ahmetit, e gjitha ka qenë farsë.

Ai thotë që po shihet mosgatishmëria e nivelit më të lartë shtetëror që të kryejë obligimet shtetërore, e në këtë rast presidenti Thaçi i cili deklaroi se do japë dorëheqje nëse nuk kalon ligji.

“Kjo po tregon se edhe iniciativa ka qenë një lojë politike, megjithatë po shihet mosgatishmëria e nivelit më të lartë shtetit që të kryejë obligimet shtetërore, e në këtë rast presidenti i cili ka deklaruar se do të japë dorëheqje nëse nuk kalon ligji, vetëm farse e ka pas këtë deklarim, dhe po shihet që krejtësisht për motive politike janë bërë këto veprime, ” u shpreh nënkryetari i AAK-së.

Ndërsa zëdhënësi për informim i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti për gazetametro.net ka deklaruar se tërheqja e të parit të vendit nga procedimi i mëtejshëm i Ligjit që e shndërron FSK-në në FAK, nuk ka qenë diçka e papritur.

Ai thotë se një gjë e tillë është paralajmëruar nga ana e tyre kur edhe është dhënë përkrahje në parim për Projektligjin.

“Tërheqja e Thaçit nga procedimi i mëtutjeshëm i Ligjit që e shndërron FSK-në në FAK, për ne nuk ka qenë e papritur. Një gjë të tillë madje e kemi paralajmëruar kur edhe kemi dhënë përkrahje në parim për Projektligjin, duke e cilësuar Thaçin si joserioz për ta çuar tutje këtë iniciativë dhe duke i vënë në dyshim qëllimet e tij”, tha Hoti.

Hoti ka thënë se vetë Thaçi të sqarojë se si erdhi deri tek tërheqja e Projektligjit dhe të tregon se pse nuk po dorëhiqet pas këtij akti.

“Natyrisht që është mirë që vetë Thaçi të na e sqarojë se si erdhi deri tek tërheqja e Projektligjit dhe të na e thotë pse nuk po dorëhiqet pas këtij akti, pasi që vetë kishte dhënë një premtim të tillë, edhe pse ne e dimë që ky asnjëherë nuk i ka mbajtur premtimet”, u shpreh ai.

Sipas tij, Thaçi nuk ka për qëllim themelimin e ushtrisë, pasi politika e tij për kohë të gjatë është në shërbim të interesave personale e klanore të tij dhe të Serbisë.

“Pikë së pari tërheqja është pasqyrim i joseriozitetit të ashtuquajturit President. Thaçi nuk e ka qëllim themelimin e ushtrisë sepse kjo është në interes të Kosovës, dhe është e qartë se politika e tij për kohë të gjatë është në shërbim të interesave personale e klanore të tij si dhe Serbisë. Së dyti edhe në këtë rast ai tregoi nënshtrim ndaj presionit prej Listës Srpska, një formacion i cili për fat të keq është faktorizuar kaq si pasojë e veprimeve të Thaçit. Pra, vërtetë është fatkeqësi që sot jemi pa ushtri e më Thaçin në Presidencë, në vend që të ishim me ushtri e pa Thaçin në Presidencë,” përfundoi Hoti.

Presidenti Thaçi, para gati një muaj pati marrë iniciativën për krijimin e ushtrisë nëpërmjet një ligji të ri, mirëpo para pak ditësh ai ka deklaruar se është i gatshëm për ndërrime kushtetuese. (GazetaMetro)

Të ngjashme