Opozita thotë se funksionalizimi i “Prishtina Parking” nuk po ndodh qëllimisht

Prishtinë | 24 Dhj 2017 | 08:08 | Nga

Mungesa e parkingjeve në kryeqytet nuk është lajm. Njësoj sikur zënia e trotuareve nga automjetet.

Për zgjidhjen e këtij problemi, vite më parë, Komuna e Prishtinës kishte menduar themelimin e ndërmarrjes “Prishtina Parking”, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Për këtë ndërmarrje u bë zhurmë gjatë tërë mandatit të parë të Shpend Ahmetit.

2015-ta kishte kaluar me akuza mes komunarëve dhe qeverisë qendrore për bllokim të projektit.

Atëkohë, numri dy i kryeqytetit, Dardan Sejdiu, akuzonte ministrin e atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, që njëkohësisht mbante edhe pozitën e asamblistit në kuvendin e kryeqytetit, për bllokadë.

Më vonë, ish-drejtori i Shërbimeve Publike, Gent Begolli, kishte dhënë shtatorin e 2016-ës si afat për funksionalizimin e ndërmarrjes.

E pas kësaj u tha se funksionalizimi do të bëhej në pranverën e 2017-ës.

Pasi u tejkaluan problemet me nivelin qendror dhe ndërmarrja u themelua, mbeti vetëm funksionalizimi i saj.

Këtë të mërkurë, Shpend Ahmeti nisi zyrtarisht mandatin e dytë në krye të Prishtinës. Por “Prishtina Parking” ende nuk është funksionale.

Sipas opozitës në kryeqytet, dështimi për funksionalizimin e kësaj ndërmarrjeje në mandatin e kaluar i faturohet të parit të komunës.

Ky i fundit, sipas tyre, e bllokoi procesin, pasi nuk e kishte shumicën në kuvend, e cila do t’i mundësonte kontrollin mbi ndërmarrjen.

Lirak Celaj, ish-Asamblist i PDK-së dhe Agim Gashi, asamblist i LDK-së, thonë se kjo u bë vetëm për shkak se ekzekutivit nuk i pëlqeu që opozita do të drejtonte ndërmarrjen.

Vonesën e qëllimtë, për të mos ia lejuar opozitës kontrollin mbi ndërmarrjen e re, e dëshmon një deklaratë e zyrtarëve të komunës në korrik të këtij viti.

Aty, zëdhënësi i komunës, Adonis Tahiri, pati pranuar se mund ta shtynin funksionalizimin deri kur të kenë shumicën në kuvendin komunal.

Megjithatë, pritjes së gjatë për funksionalizimin e “Prishtina Parking” mund t’i vijë fundi shpejt.

Kjo pasi Shpend Ahmeti dhe partnerët e tij qeverisës, në mandatin e dytë, kanë shumicën e nevojshme në Kuvend për të kontrolluar ndërmarrjet publike komunale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme