Osmani: Ftojeni SLS-në në Qeveri, largojeni Listën Serbe nga koalicioni

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 20:44 | Nga

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një alternativë interesante pas bojkotit që Lista Serbe i ka bërë Qeverisë dhe Kuvendit.

Ajo ka këshilluar qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa që ta largojë nga koalicioni “Srpsk”-an dhe këtë të fundit ta zëvendësojë me partinë tjetër serbe, “SLS”, e cila aktualisht ka pesë deputetë në Kuvend.

Osmani, në një intervistë për “Indeksonline”, ndër të tjera ka theksuar se Lista Serbe, e cila, sipas saj, dirigjohet nga Aleksandër Vuçiq, ka marrë vendim serioz për bojkotin në institucionet e Republikës.

“Nuk besoj se është lojë e Listës Serbe bojkoti në institucione.  Nuk ka qenë lojë qysh nga fillimi kur kjo parti, vetëm disa nga Listës Serbe jo të gjithë. Ata kanë dëshmuar vazhdimisht që i kanë përcjellë porosit e Beogradit në Kosovë dhe ka implementuar një politik destruktive të këtij shteti”, ka thënë ajo.

Vuçiqi ndikues në vendimet e politikanëve serb

Sipas deputetes së LDK-së, ky fakt ka dëshmuar edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Osmani thotë se këto bisedime nuk kanë prodhuar integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por kanë sjellur rezultat të kundërt.

“Edhe ato rezultate që janë arritur për vite me radhë tani po lëndohen, po dëmtohen, për shkak se kemi politikan serb që janë në Qeveri dhe Kuvend të Kosovës që në vend se të mendojnë se si mund t’i avancojnë të drejtat e komunitetit që ata përfaqësojnë, mirëpo ata mendojnë si të avancojnë agjendën e Vuçiqit apo të politikanëve të tjerë nga Beogradi”, është shprehur ajo.

Lista Serbe loboi kundër Kosovës

Më tej, Osmani thotë se gabimi më i madh që është bërë qysh nga fillimi kur është formuar Qeveria e Kosovës është se në vend që të bashkëpunohet me politikanët serb nga “SLS”, të cilët janë pesë, e të përfshihen në Qeveri dhe kanë dëshmuar se punojnë në përputhje me Kushtetutën dhe për interesa të komunitetit serb në Kosovë, qeveritarët kanë bashkëpunuar me politikan të tjerë të cilët vazhdimisht e kanë konsideruar kryeministrin Vuçiq si kryeministër të tyre dhe vazhdojnë ta quajnë Kosovën si “Kosovë dhe Metohi”.

“Një gjë e tillë është vërejtur edhe gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në “UNESKO”. Në vend të lobimit bashkë me ne për më shumë vota pro, ata konsultoheshin në Beograd me kryeministrin Vuçiq se s’i të parandalohet një proces i tillë që ka qenë jetik për shtet ndërtimin e Kosovës. Pra mendoj se Qeveria duhet ta rimendojnë bashkëpunimin me Listën Serbe dhe të shikojë se si mund të sigurohet që të gjithë përfaqësuesit serb që janë pjesë e Qeverisë dhe Kuvendit, mbi të gjitha, e kanë interesin e komunitet serb por edhe respektimin e kushtetutshmërisë në Republikën e Kosovës dhe respektimin e institucioneve të vendit”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Në fund, Osmani porosit politikanët serbë në Kosovës që mos të sjellin politika të shtetit fqinjë dhe ato t’i implementojnë në Kuvend.  “Kjo është në kundërshtim me secilin akt juridik dhe politik të cilin e ka miratuar Kuvendi që nga pavarësia”, ka potencuar ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme