Paçarizi: Qeveria e re me emra të pakonsumuar

Prishtinë | 08 Sht 2017 | 18:35 | Nga

Opinionisti Rrahman Paçarizi ka komentuar në Klan Kosova përbërjen e mundshme të re qeveritare.

Paçarizi është shprehur se përpos që si përbërje është shumë e ngarkuar me shumë zëvendëskryeministra dhe zëvendësministra ka shumë emra të rinj.

“Në përbërje duket se janë emra të rinj, të pakonsumuar, që nuk janë emra të panjohur, janë njerëz që kanë kryer punë të caktuar dhe kanë përvojë në fushë të menaxhimit, çështja e ekspertizës lë për të dëshiruar”.

Ai ka komentuar disa nga ato që i kanë bërë më së shumti përshtypje në emrat që pritet të jenë pjesë e Qeverisë Haradinaj.

“Ajo që më bëri përshtypje është emri i Dardan Gashit i cili po riciklohet edhe njëherë në Qeveri pa pasur një bazë partiake. “Lista Rugova” është një listë fantome që është inekzsitente derisa emrat e tjerë janë emrat e njerëzve nga partitë”.

“Pacolli shihet se nuk ka dashur të konsumojë me emrat e deputetëve, që të mos prekë të përzgjedhurit si deputetë që të mos rrezikojë humbjen e deputetëve. Ai ka bërë përzgjedhje të cilat nuk mund t’i paragjykojmë se nuk janë shumë të njohur për opinionin por emri i një gruaje aty tregon një sinjal të emancipimit”.

Paçarizi që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka komentuar edhe emrat e tjerë të mundshëm për udhëheqjen e disa prej ministrive më të rëndësishme e që vijnë nga PDK-ja.

“Te PDK-ja janë kryesisht Abelard Tahiri (Ministria e Drejtësisë) dhe Uran Ismaili (Ministria e Integrimit Evropian) që janë njerëz të rinj po kanë përvojë të caktuar në udhëheqjen e partisë, janë njerëz që i njohin këto punë, janë familjar me këto lloje të punëve”.

“Besim Beqaj nuk e di sa ka qenë i dëshmuar për t’u rizgjedhur edhe njëherë Ministër i Financave; Enver Hoxhaj nuk më duket i përshtatshëm për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit derisa në anën tjetër, emri tjetër i përfolur për këtë ministri, Rexhep Hoti nuk e di nëse do të ishte personi më i duhur për të udhëhequr këtë sektor”.

Sipas opinionistit Paçarizi, nga emrat e përfolur për Ministrinë e Arsimit, Valdete Bajrami ose Shyqyri Bytyqi nga Nisma, më e përshtatshme do të ishte kjo e para.

“Valdete Bajrami, si deputete ka qenë aktive dhe shumë e artikuluar dhe mund të jetë një shpresëdhënëse derisa z. Bytyqi është parë një ekspert i mirë i ekonomisë, se di sa është i përshtatshëm për këtë dikaster”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme