Pacolli: Luksemburgu përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 13:27 | Nga

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Luksemburg me takimin e parë që ka zhvilluar me homologun e tij nga ky shtet, Ministrin e Jashtëm, Jean Asselborn.

Të dy udhëheqësit e diplomacive nga shtetet respektive e kanë vlerësuar të shkëlqyeshëm nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe në të gjitha fushat.

Në margjina të këtij takimi, Ministri i Jashtëm, Pacolli fillimisht e ka njoftuar nikoqirin e takimit me zhvillimet e fundit në nivel kombëtarë, në veçanti për punën dhe përkushtimin institucional në lidhje me proceset e integrimit evropian dhe implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave, për të kaluar më pas në ato që ndërlidhen me avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, respektivisht procesin e njohjeve dhe anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, ai ka nënvizuar përpjekjet për rritjen e numrit të njohjeve, përderisa e ka vlerësuar kundër-produktive fushatën e Serbisë tek shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Duke folur për anëtarësimin e vendit në Organizata Ndërkombëtare, Ministri i Jashtëm Pacolli ka thënë se “deri më tani Kosova është anëtarësuar në mbi 70 Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare”, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes nga Luksemburgu dhe duke shprehur synimin për anëtarësimin në INTERPOL brenda këtij viti.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, është shprehur i kënaqur me realizimin e takimit të parë me Zëvendëskryeministrin Pacolli, ka vlerësuar marrëdhëniet bilaterale dhe ka ofruar mbështetje për anëtarësim në Interpol dhe procese të​ tjera nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

Njohja nga 5 vendet jo-njohëse të BE-së dhe procesi i liberalizimit të vizave kanë qenë tema të tjera të këtij takimi.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Ministri Pacolli ka thënë se “Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret”.

“Presim raport/njoftim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe aprovim nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian. Për këtë, kërkoj mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut për lëvizje të lire të qytetarëve tanë”, është shprehur ai. Rënia e numrit të azilkërkuesve është vlerësuar si pozitive në këtë drejtim.

Në fund, Ministri Pacolli ftoi palën luksemburgase që të investojë në Kosovë dhe të ndajë përvojën e zhvillimit në sektorin privat.

“Mbështetja e deritanishme me mbi 80 milion Euro tregon që Luksemburgu është partner i vërtetë”, ka thënë ai.

Pas takimit të dy ministrat mbajtën edhe një konferencë për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme