Pacolli në gjuhën malazeze i kërkon mirëkuptim Malit të Zi për demarkacionin

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 13:28 | Nga

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, gjatë takimit që ka pasur edhe me homologun e tij, Sërgjan Darmanoviq, kanë shfaqur qëndrime të kundërta rreth demarkacionit.

Pacolli ka thënë se ratifikimi i Demarkacionit nga pala kosovare në këtë moment është i pamundur duke kërkuar nga ministri malazez mirëkuptim.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Pacollit në Malin e Zi dhe e dyta ndaj një vendi fqinj.

Deklarata e plotë e Pacollit:

Jemi këtu me mikun tim, kolegun, Srdjan Darmanoviç, për të konfirmuar ndjenjat më të forta të miqësisë së popullit kosovar, të qeverisë sonë, të shtetit të Kosovës ndaj popullit malazez, qeverisë dhe shtetit të Malit të Zi. Dua t’ju falënderoj në mënyrë të veçantë për mikpritjen dhe gatishmërinë e treguar për të organizuar në mënyrë të suksesshme vizitën time.

Qeveria e re, e vendosur në Prishtinë e kryesuar nga Kryeministri Haradinaj, unë në cilësinë e numrit dy të qeverisë, edhe në emër të Presidentit Thaçi, donim shumë që ta konfirmonim vullnetin për të çuar në një nivel të ri marrëdhëniet me Republikën fqinje të Malit të Zi, duke zhvilluar këtu njërën ndër vizitat e para të miat jashtë vendit.

Mali i Zi është shteti i dytë, që unë po vizitoj në cilësinë e Ministrit të Jashtëm. Në këtë gatishmëri, në këto përpjekje tonat, ne shprehim në mënyrën më besnike ndjenjat e miqësisë të popullit tonë kundrejt popullit të Malit të Zi.

Kosova i është mirënjohëse Malit të Zi për mbështetjen gjatë historisë së largët dhe të afërt, veçanërisht gjatë periudhës së luftës së fundit. Midis dy popujve tanë ka lidhje tradicionale miqësie dhe bashkëpunimi, në nivel familjesh, individësh, komunash, institucionesh dhe partish politike.

Minoriteti malazez është një urë e fuqishme miqësie. Si diskutuam me Srdjanin, ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë një marrëveshje të Partneritetit Strategjik midis dy vendeve;

Ne jemi të gatshëm të organizojmë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive tona në momentin më të parë;

Ne duam të shfrytëzojmë eksperiencën e Malit të Zi për integrimin euroatlantik;

Ne duam të shtyjmë përpara zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, të rrisim vëllimin e shkëmbimeve tregtare;

Ne jemi të gatshëm të shohim mundësitë e shtimit dhe ndërtimit të rrugëve të komunikimit midis dy vendeve;

Ne jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e një problemi në marrëdhëniet midis nesh. Ne do të bëjmë çmos që ky problem të kapërcehet në frymën e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare;

Ne e respektojmë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Malit të Zi dhe jemi të bindur se dhe Mali i Zi ushqen të njëjtin respekt ndaj nesh.

Asgjë nuk është e pamundur në marrëdhëniet midis dy fqinjëve, që e respektojnë dhe e vlerësojnë njeri tjetrin.

Arsyetimi i Pacollit para ministrit malazez për mos ratifikimin e demarkacionit

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme