Pacolli në Hungari: Duam menjëherë liberalizimin e vizave

Prishtinë | 11 Tet 2017 | 11:51 | Nga

Ne duam menjëherë liberalizimin e vizave, sepse nuk duam që të rinjtë tanë, që njerëzit e biznesit, të ndihen të izoluar, të diskriminuar në nivel evropian.

Kështu i ka thënë Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, homologut të tij hungarez, Peter Szijjarto, gjatë takimit të këtyre dyve në Hungari.

Përkitazi me këtë, Pacolli i kërkoi homologut të tij hungarez që procedura e dhënies së vizave të lehtësohej që tani edhe në nivel dypalësh.

Nga ana e tij, Szijjarto, e quajti shumë të drejtë këtë shqetësim dhe e njohu Pacollin me një rast të ndërhyrjes së tij për të shkurtuar afatet e takimeve për viza në Ambasadën hungareze në Prishtinë, dhe tha se do konsideronte çdo hapësirë për të lehtësuar procedurat.

Pacolli e nisi vizitën e tij sot në Hungari, respektivisht pjesëmarrjen në kuadër të ministerialit të Procesit të Vishegradit, me takimin bilateral me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe duhet të ndërtojmë edhe marrëdhëniet ekonomike në këtë nivel”, kanë rënë dakord të dy bashkëbiseduesit.

Në vijim të takimit, ministri hungarez e garantoi shefin e diplomacisë kosovare për mbështetjen e vendit të tij dhe të grupit të vendeve të Vishegradit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe e njohu me ndihmën hungareze për Kosovën në fushën ekonomike, financiare dhe në arsim.

Shefi i diplomacisë kosovare, Pacolli, e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë mbështetje dhe kërkoi praninë e investitorëve hungarezë në zhvillimin e Kosovës.

Në këtë drejtim, ai tha se Kosova mirëpret praninë e mallrave hungareze të njohura për cilësinë e lartë në tregun e saj.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Pacolli shprehu gatishmërinë që kredia hungareze me terma të butë prej 60 milionë eurosh të orientohet në sektorë që kanë nevojë imediate dhe të ofrohen me shpejtësi projekte që ajo të fillojë sa më shpejt.

Pjesë e rëndësishme e bisedës ishin edhe zhvillimet politike në Kosovë dhe dialogu me Serbinë. Në lidhje me këtë, Pacolli tha se Qeveria e re e Kosovës ka qasje reformatore dhe do punojë që dialogu me fqinjin verior të vendoset në pozita reciprociteti, veçanërisht në planin ekonomik.

Në këtë takim morën pjesë edhe Ambasadorja e Kosovës në Hungari, Luljeta Vuniqi dhe zëvendësministrja e Jashtme, Rejhan Vuniqi.

Të ngjashme