Pacolli në Shqipëri takon presidentin dhe kryeministrin

Tiranë | 14 Sht 2017 | 19:37 | Nga

Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka realizuar vizitën e parë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, gjatë së cilës ka takuar liderët institucionalë, presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Gjatë këtyre takimeve, Pacolli me drejtuesit e shtetit shqiptar ka diskutuar çështje të interesit të përbashkët, thuhet në një komunikatë shtypi të MPJ-së.

“Krahas, diskutimit rreth koordinimit të përpjekjeve të përbashkëta në rrafshin diplomatik, e posaçërisht forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës është diskutuar edhe për çështje të përbashkëta rreth lehtësimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik”.

Sipas komunikatës për shtyp, Pacolli ka propozuar thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes krijimit të pikave të përbashkëta doganore, sikurse ajo në Durrës si dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve nga të dyja anët.

“Për këtë është dakorduar me palën shqiptare që të punohet në menaxhimin e përbashkët të kufirit sipas standardeve evropiane”.

Gjithashtu, me propozimin e kryediplomatit kosovar tij është dakorduar mbajtja e takimit të përbashkët të dy qeverive më 27 Nëntor 2017, me rastin e hapjes së Vitit të Skënderbeut.

Vazhdimi i hapjes së misioneve të përbashkëta diplomatike dhe konsullore me Republikën e Shqipërisë në Kopenhagë dhe Hamburg, si dhe blerja e godinave të përbashkëta është diskutuar, gjithashtu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme