Pacolli takon Ambasadorin britanik, bisedojnë për ekonominë

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 14:55 | Nga

Zëvendëskryeministëri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim ambasadorin britanik të ngarkuar me organizimin e Samitit të Londrës, Andrew Page.

Në vijim të bisedimeve në kuadër të takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, ministri Pacolli e njohu bashkëbiseduesin e tij me përpjekjet për të zgjidhur problemin e lëvizjes së lirë të qytetarëve midis Kosovës dhe Bosnjës, që u mirëprit nga diplomati i lartë britanik, transmeton Ekonomia Online.

Më pas Page prezantoi prioritetet e Presidencës Britanike të Procesit të Berlinit, në planin ekonomik, të çështjeve politike dypalëshe me fokus krimet e luftës dhe personat e zhdukur, si dhe sigurisë.

“Diplomati britanik e njohu posaçërisht ministrin Pacolli me iniciativën britanike për personat e zhdukur, që do të drejtohet nga Princi i Uellsit, i përfshirë që më herët në këtë problem.

Ministri Pacolli nga ana e tij, në fillim falënderoi Britaninë e Madhe për angazhimin në rritje në rajon, veçanërisht në Kosovë.

Në vazhdim, ministri prezantoi idenë e tij për një Zonë të Lirë Ekonomike ndërkufitare midis Veriut të Kosovës si një i tërë, me Jugun e Serbisë, zona të mbetura peng i problematikës midis dy vendeve, ndonëse zona me potencial të lartë zhvillimor”, thuhet në një komunikatë për medie nga MPJ.

Ai, tutje kërkoi ndihmën britanike për shkolla të arsimit profesional, për teknologjinë dixhitale, për t’i dhënë rinisë shpresën e humbur.

“Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit, ka krijuar energji të re rinore dhe ne duhet ta kanalizojmë drejt këtë energji kah zhvillimi, kah mësimi i shkathtësive të reja profesionale, etj”, tha ministri i jashtëm i Kosovës.

Bashkëbiseduesi britanik e njohu ministrin me mundësitë e reja që krijohen për financime projektesh të Kosovës, me mbështetje britanike, me gjithë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

“Ka një momentum shumë të mirë për rajonin në këtë periudhë – shumë aktivitete, takime rajonale dhe me BE-në, të cilat duhet të shfrytëzohen për përfitime konkrete nga ju, për infrastrukturën, edukimin, etj”, tha ambasadori Page.

Samiti i Londrës, është aktivitet në kuadër të Procesit të Berlinit, iniciativë e Kancelares Merkel, i cili i njeh dhe Britanisë së Madhe një rol të rëndësishëm në inkurajimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme